Sot është një nga trajnerët më të mirë të botës, teksa ka mbjellë sukses në çdo ekip ku ka shkuar. Pas ciklit 7-vjeçar me Borusian e Dortmundit, që rezultoi tepër i suksesshëm për të, rruga në karrierën e Jurgen Klop mund të kishte marrë një rrjedhë krejt tjetër nga ajo e tanishmja. Në vitin 2015 një propozim ka mbërritur për të, por këtë herë ajo që i ofrohej ishte stoli i një Kombëtareje dhe jo një klubi. Bëhej fjalë për Meksikën, që e projektonte të ardhmen e saj në duart e një strategu gjenial si Klop.
Megjithatë gjermani dukej se e kishte ndarë mendjen e tij dhe e kishte të qartë atë që dëshironte. Anglia ishte objektivi i tij dhe ashtu ndodhi. Një zgjedhje që tashmë 5 vjet më pas duket e duhura, pasi ka shndërruar Liverpulin në një nga klubet më të forta në Europë dhe më gjerë.
Ndërkohë ishte vetë zyrtari i Federatës Meksikane të Futbollit, Gijermo Kantu, i cili zbulon këto prapaskena. Në një intervistë me TUDN në “Instagram”, Kantu shprehet: “E pyeta nëpërmjet një pale të 3-të nëse ishte i interesuar në Kombëtaren e Meksikës. Përgjigja e marrë mbrapsht ishte ‘E vlerësoj ofertën, shumë faleminderit, por kam ende shumë për të bërë në futbollin e klubeve dhe dua të shkoj në Angli’”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/