Italia do të presë sot në mbrëmje Suedinë në “San Siro” dhe duhet të fitojë të paktën 1-0, për të mos u eliminuar, ndërsa fitorja me dy gola diferencë e kualifikon direkt, pa tmerrin e shtesave nëse fiton 1-0.
Kapiteni i Italisë, Xhanluixhi Bufon, u ka bërë thirrje tifozëve që të bashkohen, pa ndarje Juventus, Milan e Inter, pasi është momenti që të lihen mënjanë ndarjet, për të evituar katastrofën, me axurrët që nuk mungojnë në Kupën e Botës prej vitit 1958.
“Në karrierën time kam përjetuar disa momente të tilla, herë ka shkuar mbarë e herë keq. Shpresoj që tifozët të na mbështetin, duke na dhënë zemër, jo me qëndrim negativ ndaj nesh që në fillim. Dua që tifozët të vijnë në stadium si italianë, pa përkatësi klubi, dhe të bëjnë tifozllëk, pa fishkëllyer nëse gabojmë ndonjë pasim”.