Post-dëmtimi i Luiza Gegës: Tani kthehem më e fortë…

Luiza Gega, nënkampionia e Evropës në 3000 metra me pengesa më 2016-ën, e ka lënë pas dëmtimin e saj, që e pengoi të shkonte në Kampionatin Botëror në Londër. Dhe sezoni i saj do të nisi me gjysmëMaratonën e Tiranës më 18 tetor. Nëpërmjet një statusi në facebook ajo e ka lajmëruar pjesëmarrjen e saj në këtë garë.

“Mu desh më shumë se sa një muaj që të qëndroja larg asaj që bëja çdo ditë të vitit për shkak të dëmtimit që pata në cipën e tendinit të Akilit. Por tani çdo gjë është në rregull dhe unë jam gati për të filluar. Në çdo sezon të ri vendos objektiva që dua të arrij, ndërsa mundohem të analizon çdo gjë, çdo sakrificë që duhet për të arritur këto objektiva. Sigurisht që asgjë nuk është falas dhe unë atë e di. Por di që të punosh fort dhe kurrë të mos dorëzohesh. Të qëndrosh shumë e fokusuar në atë që kërkon të arrish e të mos lejosh askënd të të shpërqendrojë. Të qenit në elitën e këtij sporti më beson se nuk është aspak e lehtë, sidomos në vendin tonë ku, përveç kushteve aspak të barabarta me kundërshtarët, pjesën më të madhe të vitit më duhet të qëndroj pothuajse vetëm, pasi duhet të stërvitem në vende sa më të larta mbi nivelin e detit. Kjo sigurisht që është e vështirë, por kur ti ke një ëndërr mundohesh mos të lësh asgjë, të sfidosh vetveten dhe të bësh çdo gjë që mundesh për të arritur objektivin tënd. Kjo që unë bëj është pasioni im tashmë i kthyer në profesion, edhe pse në vendin tonë për fat të keq nuk kuptohet nga të gjithë. Por për mua pak rëndësi ka kjo, pasi unë bëj atë që dua dhe kjo më bën të lumtur, sidomos kur dhimbja kthehet në di?ka të mrekullueshme.  Ka dhe nga ata që më mbështesin e vlerësojnë atë që unë bëj, më dërgojnë mesazhe urimi pa fund. I falënderoj shumë pasi ato janë mbështetësit dhe tifozët e mi”.

Ndërkohë Gega ka folur me krenari dhe për rekordet e saj, ndërsa ka vendosur se ku do të fokusohet më shumë. “Unë jam shumë krenare – thotë Gega në statusin e vet – për çdo gjë që kam arritur, ndërsa nuk e mendoja kurrë që një ditë do të kisha gjithë ato rekorde duke filluar nga 800 metra e përfunduar tek gjysëm maratona 21 kilometra, apo të kisha gjithë ato medalje ndërkombëtare. Ndaj e falënderoj jo pak herë trajnerin tim që pa tek unë atë që nuk e kisha parë unë tek vetja dhe që ai vazhdon të ketë një besim të madh tek unë parë që unë mund të arrij në të ardhmen. Kjo më gëzon shumë, sepse ai nuk bëhet kurrë optimist kot dhe qëndron me këmbë në tokë. Këtë vit do të fokusohemi në garat e sezonit veror, ndërsa dy janë më të rëndësishme, Lojërat Mesdhetare dhe Kampionati Evropian. Dhe puna për këto dy aktivitete nis që tani, kurse më e afërta është pjesëmarrja në gjysmë maratonën e Tiranës, e cila do të jetë diçka argëtuese për mua, ndërsa do ta thyej rekordin kombëtar me 4-5 minuta. Në një të ardhme do ta marrë seriozisht këtë garë, por për momentin fokusi im janë garat e pistës kryesisht 3000 metra me pengesa”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *