Heroi i Kroacisë në ndeshjen kundër Danimarkës, Daniel Subashiç, shpërtheu në lot gjatë konferencës për shtyp të së martës, kur u pyet për arsyen e veshjes së një bluze me fytyrën e stampuar të një personi poshtë uniformës se portierit.
Subashiç ka shpjeguar se bëhet fjalë për të kujtuar dhe nderuar një ish-shokun e tij të skuadrës, Hrvoje Çustiç, i cili u nda nga jeta në vitin 2008, në moshën 24-vjeçare, duke luajtur futboll.
Një histori tragjike ajo e ish-futbollistit të Kroacisë U-21, sepse në një ndeshje kampionati mes ekipit të tij Zadar dhe Cibalias, në një duel për Topin përfundoi të një mur betoni tre metra matanë vijave kufizuese të fushës dhe përplasi keq kokën. Pas 4 ditësh në koma, Çustiç nuk ia doli.
Subashiç nuk i përmbajti dot lotët, por me pas e mblodhi veten për të vijuar konferencën për shtyp.