Armando Broja është pjesë e panelit të emisionit “Kampionët” në “TV Klan” mbrëmjen e sotme. Sulmuesi shqiptar ka shpjeguar dy rastet e humbura kundër Spanjës në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve për kuqezinjtë. Broja është shprehur se në rastin e parë kishte menduar se portieri ishte afruar pranë tij për ngushtuar rrezen, prandaj vendosi ta godiste topin lart. Futbollisti i Kombëtares ka vlerësuar edhe portierin e Spanjës, të cilit i ka dhënë merita për pritjet e bëra.
“Rasti i parë kundër Spanjës? Kur luaj në Angli dëgjoj edhe shokët e ekipit që më thonë nëse kam kohë të mbaj topin, apo ku ndodhet portieri. Por aty nuk dëgjova asgjë, sepse kishte edhe shumë tifozë. Mendova se portieri do të dilte për të mbyllur portën dhe prandaj vendosa ta godisja topin lart. Por kur u ktheva dhe e këqyra që ishte ende në portë thashë: “Në rregull, s’kam çfarë t’i bëj tani”. Atë portierin e njoh mirë, sepse luan me Arsenalin. U çudita se si e priti (gjuajtjen e dytë), por ishte si kangur”, ka thënë Armando Broja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/