Veterani i Flamurtarit, Artim Pollozhani, nuk ka mbetur i kënaqur nga barazimi në Durrës, edhe pse ishte një ndeshje e vështirë, ndaj një rivali që u mbrojt fort dhe me disiplinë. Përveç kësaj, Flamurtari humbi disa raste të mira: “Sot patëm raste të shënonim, ku nëse do ishim më të përqendruar, do dilnim me 3 pikë nga Durrësi. Jemi pak të zhgënjyer, sepse kemi bërë shumë mirë sidomos në fazën mbrojtëse, duke mos pësuar. Nëse Alvesh do kishte pak më shumë fat, do shënonim e do e mbyllnim ndeshjen. Ne i përgatisim ndeshjen çdo javë duke parë ekipin që kemi përballë”.
Tashmë Pollozhani është kthyer plotësisht në qendërmbrojtës, edhe pse roli i tij ka qenë mesfushor kryesisht: “Pozicioni im është në mesin e fushës, por tek Shkëndija shumë ndeshje kam luajtur para mbrojtjes. Pozicioni im gjithmonë ka qenë në mesfushë, por unë ndihem mirë edhe në qendër të mbrojtjes dhe trajneri e ka parë që mund të jap më shumë aty”.