Që në momentin e hedhjes së shortit për kualifikueset e Botërorit, në Poloni nuk e kanë marrë aspak seriozisht Shqipërinë. Shumë më ndryshe nga Hungaria, atje ku trajneri i kësaj Kombëtare dhe njëkohësisht opinioni sportiv shkruan se kuqezinjtë do të jenë një rival i fortë i grupit.
Ndërkohë që te Polonia vazhdohet me nënvlerësimin e Shqipërisë. “Onet.pl” është media e radhës që ka bërë një parashtrim të këtij grupi në prag të ndeshjeve të marsit, atje ku thuhet se për vendin e dytë do të jetë si rival vetëm Hungaria.
“Rivalët e tjerë të Polonisë, Shqipëria dhe San Marino nuk janë të fuqishëm. Hungarezët do të jenë rivali kryesor për ne sa i përket vendit të dytë. Nëse arrijmë që të luftojmë për vendin e parë, Anglia do ta marri me shumë forcë dhe nerva. Kjo është arsye se përse një fillim i mirë në kualifikuese do të jetë i rëndësishëm”, shkruhet në artikull. /Sport Ekspres/