Gjashtë gola, gabime me shumicë dhe asnjë fitues në ndeshjen e parë të fundjavës në Kategorinë e Parë. Bylisi favorit, i konsideruar rivali i vetëm për Tiranën në grupin B, realisht u duk mediokër sot kundër Pogradecit, duke barazuar 3-3.
Liqenorët shkëlqyen në pjesën e parë, shënuan dy gola dhe ishin shumë më të qartë në lojën e vet, krahasuar me një Bylis që bëri gabime pa fund në mbrojtje. Përfundoi 1-2 pjesa e parë dhe trajneri vendas Nica bëri disa ndryshime që dhanë fryte në pjesën e dytë, sepse Bylisi përmbysi gjithçka me Ntefenë dhe Kolgegën në minutat 59 e 66.
U duk se mbaroi, me Pogradecin që po bënte shumë gabime, por ritmi i lojës ra sërish dhe miqtë morën zemër. 4 minuta para mbylljes, një kundërsulm i shpejtë i Pogradecit nxorri të vetëm në zonë Mezinin, i cili nuk fali dhe 3-3. Nuk pati më asnjë rrezik në portat përkatëse, Pogradeci mori një pikë të merituar, ndërsa Bylisi la dy të tilla, që e lënë 3 pikë pas Tiranës, por bardheblutë nesër në Kuçovë ndaj Tomorit kanë rastin të shkojnë +6.
Bylis – Pogradeci
Shënues: Zisi 25’, Ntefe 59’, Kolgega 66’ / Çekiçi 24’, Pere 37’, Mezini 86’