“Po të isha italian do flisnin të gjithë për mua”, Rrahmani rrëfehet në Itali: E dija që ishte e vështirë, por i njoh cilësitë e mia

Amir Rrahmani është kthyer në një nga mbrojtësat më të mirë të Serisë A, teksa po i jep siguri prapavijës së Napolit këtë sezon. Në një intervistë për “Il Roma” kapiteni i përfaqësueses së Kosovës rrëfen se ishte i vetëdijshëm për vështirësitë që e prisnin në Napoli, por i njihte mirë aftësitë e tij. Gjithashtu Rrahmani mendon se fakti që nuk është italian ka bërë që njerëzit të mos flasin shumë për të, pasi vjen nga një vend që nuk është i njohur në arenën e futbollit.

“E dija se ishte e vështirë të shprehesha në një ekip të madh. Sidomos sepse vija nga një Verona që mbrohej me tre dhe markonte një për një. Por unë i njihja cilësitë e mia dhe kur fillova të kisha vazhdimësi, rezultatet u shfaqën. Tani është koha për të përfituar nga të gjitha gjërat e mira që po bëj duke përmirësuar performancën.

Gjithmonë kam thënë se po të isha italian do të kishin folur të gjithë për mua. Me sa duket vendi im nuk është i famshëm në aspektin futbollistik. Do të thotë që duhet të punoj edhe më shumë që të detyroj kritikat të më ndjekin.

Do të doja t’i jepja vetes një ëndërr, e cila më pas do t’i përkiste të gjithë tifozëve. Por mos më lër ta them fjalën se këtu jam mësuar të jem supersticioz. Ne luajmë gjithmonë për të fituar, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Le të shpresojmë që diçka e mirë të ndodhë”, ka deklaruar ndër të tjera Amir Rrahmani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *