Nga Klaudio Ndreca
Guardiola është trajneri më i sulmuar së fundmi, ku menjëherë pas dështimit në ditën e djeshme Lionit duke u eliminuar nga “Champions League”, tifozët kanë shpërthyer ndaj njeriut që cilësohej nga më të mirët në botë. Por çfarë po ndodhë me këtë trajner? Manchester City i ka plotësuar çdo dëshirë të mundshme me transferimin e lojtarëve, ndërsa rezultati në fund është zhgënjyes pasi nuk po preket as gjysmëfinalja e “Champions League”.
Nëse kthehemi pak pas në kohë, do të gjejmë edhe një deklaratë të menaxherit të Yaya Toure. Teksa pretenduan një racizëm nga ana e Guardiolës, si arsyeja kryesore se përse lihej mesfushori në fjalë jashtë ekipit, do të vinte edhe deklarata e guximshme e menaxherit të Toure: “Jam i sigurt që shumë afrikanë me besimin e tyre shaman nuk do ta lejojnë Guardiolën të fitojë “Champions League” në të ardhmen. Do të jetë si mallkimi afrikan për Guardiolën. Koha do ta tregojë nëse kam të drejtë apo jo”.
Shamanizmi është një praktikë fetare që besohet në Azi dhe Afrikë, ndërsa deri tani koha po i jep të drejtë menaxherit të Yaya Toure për “bastin” e hedhur me Guardiolën. Një deklaratë kjo që po shpërndahet gjerësisht në rrjetet sociale së fundmi, pasi kur nuk ka një shpjegim të saktë për mënyrën sesi dështohet në vite radhazi, teoritë konspirative marrin sërish jetë. Një mallkim afrikan mbi Guardiolën, a mund të jetë kjo arsyeja? /Sport Ekspres/