Epoka e Giani De Biasit padyshim që ka qenë më e suksesshmja për Kombëtaren tonë, e cila për herë të parë në historinë e saj arriti të siguronte një biletë për Kampionatin Europian. Megjithëse në fillim pak kush besonte në një sukses të atillë, tekniku Italian së bashku me lojtarët kuqezi plotësuan ëndrrën më të madhe të tifozëve shqiptar. Një moment i tillë ka lënë gjurmë të mëdha nga të dyja palët, teksa edhe De Biasi e mban periudhën në stolin e Kombëtares sonë pikën më të lartë në karrierën e tij.
Emocionet e marra gjatë kësaj eksperience kanë qenë të jashtëzakonshme e duket se kanë shenjuar thellë të tekniku Italian. Madje në një intervistë për “Radio Marca” De Biasi ka rrëfyer se po shkruan një libër në lidhje me periudhën e tij në krye të pankinës kuqezi. Periudha e izolimit i ka dhënë mjaftueshëm kohë për të marrë një laps e një letër dhe të hedhë aty gjithë aventurën e tij me Shqipërinë, ndërsa zbulon se deri tani ka përfunduar tre kapituj nga libri i tij.
“Këtu jemi mirë, kemi probleme si në të gjithë Europën, por na jep shpresë kurba që po vjen në ulje. Ka pak optimizëm mund të them duke parë gjendjen e fundit dhe unë vetë jam optimist në natyrë. Unë jetoj këtu(në Itali) është e vërtetë, por është njësoj si të jetoj në një qytet tjetër të botës pasi nuk dal dhe nuk kam kontakte me njerëz të tjerë. Dua të them diçka që po shkruaj një libër për aventurën time me Shqipërinë dhe po hedh në letër historinë futbollistike që arritëm në Europian, ndërsa tani jam në kapitullin e tretë. Kemi pasur në grup Serbinë dhe Danimarkën dhe arritëm që të kualifikoheshim. Ishte kjo një mundësi e mirë për ta bërë tani duke ditur që jemi të mbyllur edhe në shtëpi për shkakun e Koronavirusit”, ka thënë De Biasi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/