Orët e para të mëngjesit të djeshëm trazuan kryeqytetin, teksa fadromat e bashkisë shembën godinën e Teatrit Kombëtar, duke fshirë kështu një pjesë të kulturës së këtij vendi. Qytetarët reaguan nëpërmjet protestave nëpër rrugët e Tiranës, ndëra shumë figura të njohura të vendit kanë ngritur zërin e tyre. Frymës kundërshtuese për veprimin e djeshëm nga qeveria shqiptare i është bashkuar edhe bota e sportit, teksa këtë herë janë ultrasit e klubit të Elbasanit që reagojnë me anë të një postimi në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”.
“Tigrat Verdheblu” i kanë vuajtur në shpinën e tyre problemet me qeverinë, pasi prej 7 vitesh kanë kaluar në administrimin e bashkisë dhe që prej kësaj kohe një nga skaudrat me histori në futbollin shqiptar po prek fundin. Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit grupimi i tifozëve të Elbasanit ngre zërin dhe kërkon t’u hapë sytë shqiptarëve që të mos presin më tepër por të dalin kundër nënshtrimit nga pushtetarët që deri tani nuk janë kursyer të zaptojnë çdo pjesë të jetës sonë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/