Arlind Sadiku, gazetari i njohur shqiptar në Kosovë ishte i ftuari i radhës në emisionin Koha Shtesë. Ai ka folur sa i përket raporteve të lojtarëve të Kombëtares me trajnerin Silvinjo. Sadiku tregoi edhe një detaj shumë interes që tregon saktësisht autoritetin e teknikut të Shqipërisë. (Videon e plot të emisionit e gjeni më poshtë).
“Sipas informacioneve të mia, ka pasur pakënaqësi të disa lojtarëve në Europian për mos aktivizimin e tyre. Megjithatë të njëjtat burime më thonë se lojtarët nuk kanë pasur guximin për të shkuar dhe për t’u ankuar te trajneri për shkak të autoritetit të tij të madh që ka ndërtuar. Autoriteti po vazhdon njësoj nga Silvinjo. Kemi ftesën e Abrashit, ftesën e Spahiut, Zekës, të gjitha këto futbollistët i flasin me njëri-tjetrin dhe e shohin se kush lojtarë po luan dhe kush nuk e meriton të luaj.
Herët a vonë do të shfaqen këto ankesa në momentin që mungojnë rezultatet. Më kujton stilin e Contes apo Mourinho, që i do kompetencat 100% të tij dhe askush tjetër të mos përzihet në këtë punë dhe zgjedhjet t’i bëjë vetëm ai dhe të gjykohet vetëm ai. Sigurisht që FSHF meriton lëvdatat që i ka lënë hapësirat trajnerit pasi dihet që në Ballkan ka gjithmonë polemika nëse vendos vërtet trajneri për zgjedhjet apo jo. Por ne duhet të japim mendimin tonë edhe kur fiton Shqipëria se kush lojtar meriton të luajë.
FSHF ka lënë të kuptohet se i jep mbështetje të plot Silvinjos për cdo vendim që merr, por unë mendoj se disa vendime të Silvinjos duhet t’i diskutojmë pak. Ai thotë që nuk po e marr Uzunin se ka konkurrencë të madhe në sulm, si qendër është Daku, Broja, Manaj. Por kur mungon Daku dhe Broja ishte i dëmtuar, përse Uzuni nuk ishte në listën e parë, jo në atë rezervë pas tyre? Nuk është marrë Indrit Tuci, por është marrë Qazim Laci, ata luajnë të dy në të njëjtin ekip. Përse lihet jashtë Indrit Tuci? Pyetja ime është kjo, sa lojtarë shqiptarë si Indrit Tuci do të luajnë në Champions League sezonin tjetër? Prandaj unë mendoj se Silvinjo po mbivlerësohet në Shqipëri dhe nëse nuk do të ketë rezultate, për mua do të largohet vitin tjetër nga Kombëtarja”, tha Sadiku. /Sport Ekspres/