“Po luajmë lojë sulmuese, janë këto rrisqe”, Cikalleshi tregon keqardhjen: Kishim punuar për goditjet standarde

Shqipëria e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme serinë e ndeshjeve të shtatorit. Kuqezinjtë janë mposhtur thellë 4-1 në Varshavë, ku Polonia u tregua cinike dhe diti të përkthejë në gol mundësitë e krijuara. Një rezultat i hidhur ky për kuqezinjtë, që vjen ndaj një kundërshtari direkt për objektivat në grup. Në përfundim të takimit vetë aktorët në fushë dhe jashtë saj kanë dhënë intervistat e tyre për “Supersport“.

Cikalleshi: “Mendoj që ndeshjen e filluam mirë, edhe pse pësuam që në fillim me goditje standarte arritëm të barazonim. Kishim edhe dy raste për gol, por fati nuk deshi. Më vjen pak keq se pësuam dy gola me goditje standarde dhe kemi punuar për këtë. Por kemi punë për të bërë. Këto kohë jemi munduar të bëjmë futboll më sulmues, por kjo krijon më shumë hapësira mbrapa. Rrisku është pjesë e kësaj taktike. Kemi strukturën tonë të lojës, të mbrojmë të gjithë në grup dhe të sulmojmë të gjithë në grup, qoftë edhe me pikatore. Sot nuk e bëmë këtë. Në dhomat e zhveshjes të gjithë ishin shumë të mërzitur. Katër gola nuk i meritonim dhe janë shumë. Nuk kemi as kohë, pasi për 3 ditë kemi ndeshjen e radhës”.

Gjimshiti: “Sigurisht që rezultati 4-1 është shumë i lartë. Jam i pakënaqur me gabimet që kemi bërë. Në pjesën e parë kemi luajtur mjaft mirë, nuk mbaj mend ndeshje që kemi luajtur aq mirë. Bëmë dy gabime në goditje standarde dhe marrim dy gola kot. Kjo është ajo që më acaron më shumë. Prapë ishim në lojë, por pësojmë gola shumë lehtë“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *