Redon Xhixha është transferua nga Tirana te Qarabag në Azerbajxhan. Një rrugëtim i ri ka nisur për lojtarin shqiptar që kërkon të ndjek hapat e Ansi Agollit. I ftuar në “Supersport”, Xhixha tregon se ish-mbrojtësi i Kombëtares është një legjendë te Qarabag. Nga ana tjetër, sulmuesi shprehet se objektivat e tij janë më të larta në karrierë dhe nuk do të ndalet me kaq.
“Qarabag është një ekip i madh me emër, ka bërë mirë në Europë dhe në kampionatin e Azerbajxhanit dhe zgjodha këtë ekip për të vijuar karrierën time duke dhënë më të mirën e ta kem si trampolinë për në një tjetër skuadër edhe më të madhe. Me punë arrihet çdo gjë. Duke punuar shumë një ditë do të ndodhë diçka e bukur. Duhet të jesh i përkushtuar dhe të luash e një ditë nëse bën mirë do të vijë momenti, në mos sot do vijë nesër dita kur do ikësh jashtë. Kam sakrifikuar për këtë ditë e shpresoj që të bëj sa më mirë këtu e të vijoj edhe në një ekip tjetër edhe më lart.
Para ndeshjes me Bylisin më thanë që ka interes Qarabag, ishim në darkë me Deliun dhe Ismajlgecin e me shaka u thash. Ngaqë çdo ditë po interesohej nga një skuadër në formë batute u them erdhi dhe një tjetër. Tre orë ose katër orë para ndeshjes mora njoftimin se Qarabag ka bërë ofertën zyrtare dhe pas ndeshjes do ikësh. U emocionova pasi ishte e para lëvizje e ime jashtë Shqipërisë dhe e kam pritur këtë ditë. E para që njoftova ishte familja.
Qarabagun e kam njohur nga Ansi Agolli dhe kisha parë që disa ndeshje, por se kisha menduar kurrë se një ditë do luaja këtu. Agollin duan shumë këtu si drejtuesit e tifozët. Shpresoj shumë që një ditë të më duan tifozët sa e duan atë, pasi me sa pash unë , ai është një legjendë e vërtetë.
Kombëtarja? Nëse do bëj mirë, edhe ftesa do të vijë pasi Qarabag është një ekip që ta jep mundësinë që të promovohesh dhe shpresoj që të bëj sa më mirë e të shënoj sa më shumë gola, ftesën do e pres, pasi është nder dhe krenari që të përfaqësosh ngjyrat më të bukura në botë, uroj shumë që një ditë të vijë ftesa nga kombëtarja dhe për ndeshjet zyrtare”, tha Xhixha. /Sport Ekspres/