E gjithë vëmendja ditën e sotme ka kaluar në Gjermani, atje ku Bundesliga bëhet e para që e thyen akullin dhe zbret sërish në fushë. Sot janë luajtur edhe ndeshjet e para pas rikthimit nga ndërprerja 2 mujore për shkak të Koronavirusit, ku nuk kanë munguar aspak golat. Tifozët kanë marrë një pamje tashmë se si do të jetë futbolli gjatë pandemisë globale, ndërsa emocionet e sportit më të ndjekur në botë kanë ardhur sërish te ta.
Ndërkohë për këtë rikthim që erdhi si pasojë e vendosmërisë së gjermanëve ka reaguar edhe Zllatan Ibrahimoviç. Ky i fundit ka falenderuar Bundesligën që ditën e sotme i fali të gjithëve ndjesinë e bukur që të krijon futbolli, ndërsa me anë të një reagimi në rrjetin e tij social në “Instagram“ shkruan: “Po e thanë e bëjnë“, teksa në sfond ka vendosur flamurin e Gjermanisë. Një vlerësim ky për Bundesligën dhe për popullin gjerman në përgjithëse, të cilët njihen për natyrën e tyre korrekte dhe se premtimet e dhëna nuk i kanë thjesht fjalë por i realizojnë vërtetë. Ndoshta një mesazh ky që shkon edhe për Italinë, ku ka pasur shumë debate e diskutime sa i përket rifillimit të futbollit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/