Në ditën e sotme ishte momenti që Kupa e Shqipërisë të kishte rolin e protagonizmit. Partizani ka arritur të fitojë ndaj Korabit në shifrat 1-3 falë dy golave të Skukës. Ky i fundit zgjodhi që të kërkonte ndjesë tifozëve të ish-ekipit të tij. Goli i tretë u shënua nga Murataj, ndërsa Beshiraj, ish-lojtari i Tiranës, shënoi golin e vetëm te Korabi.
Tirana nuk kishte aspak problem në ndeshjen me Lushnjen duke fituar me shifrat 0-3. Ndërkohë Vllaznia kishte një ndeshje të vështirë në transfertën e Bylisit. Jonuzi në të 37 dhe Kaina në minutën e fundit do t’i jepnin fitoren shkodranëve me shifrat 0-2. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Shehi: “E filluam ndeshjen shumë mirë, kur ndeshja shkoi 0-3, filluam të bëjmë menaxhimin e forcës pasi kemi ndeshje sërish pas tre ditësh. Xhixha ishte në gjendje gripale dhe nuk donim që ta rrezikonim. Xhixha? Është golashënuesi i kampionatit, këtë situatë e përjetuam edhe me Seferin. Është në fokus dhe herë pas herë shfaqet ndonjë skuadër që e kërkon”.
Kumbarce: “Kjo ndeshje ishte më tepër një provë për kampionatin. E dinim forcën e Partizanit, por terreni ishte i rënduar, shiu na vështirësoi shumë punën. Erdhëm për të luajtur në shtëpi për hir të tifozëve, prandaj nuk e luajtëm në Tiranë”.
Kolela: “Për mua është hap pozitiv, fituam 3-1 jashtë shtëpisë. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë dhe ishim pozitiv në gjërat që kemi bërë. Kam lojtarë cilësorë në ekip dhe mund të përballemi në të dy frontet, Kupë dhe kampionat, një ekip si Partizani nuk sakrifikon asgjë”.
Shënim: “Teksa gazetari i Oversport, Alinani, e pyet trajnerin Kolelën mbi të ardhmen e Skukës, tekniku largohet dhe e falënderon”.