Nga Klaudio Ndreca
Keidi Bare është lojtari shqiptar më me fat për momentin, nëse flasim këtu për legjionarët tanë në Europë. Në këto kohë të karantinës dhe kur stërvitjet janë ndalur, të gjithë futbollistët mjaftohen me këshillat dhe video ilustruese që vijnë nga klubet.
Por sa më e lehtë mund të jetë nëse e ke profesorin personal që të qendron në shtëpi? Madje që të mëson gjithçka pa asnjë shpenzim monetar, por duke e bërë me shumë dashuri e më dëshirën që të shohë sa më lartë në karrierë.
E pra, Keidi Bare ka fatin e madh që këto kohë të karantinës po i kalon me babain e tij, Artanin. Dikur një lojtar i njohur në vendin tonë, ndërsa sot po përgatit djalin e tij për ta dërguar edhe në nivelet më të larta. Pasi në fund të fundit kjo është edhe dëshira e prindit, për të parë fëmijën atje ku nuk ka arritur dot vetë.
Pra në këtë drejtim Bare është duke punuar mirë dhe nuk do të ketë shumë probleme kur stërvitja do të kthehet, madje do të jetë një hap përpara të tjerëve. Pasi profesorat dhe lojtarët e kohës së Artan Bares, janë brezi i punës me orare të tejzgjatura, duke të mësuar atë që quhet STËRVITJE. Në intervistën e dhënë së fundmi për “Cadena Sar”, mesfushori i Kombëtares bën këtë rrëfim:
“Nuk është normale që njerëzit po vdesin dhe ne do të shkojmë të stërvitemi dhe të luajmë, por nëse na thonë të shkojmë në fushë, është për një arsye, ata nuk janë budallenj nëse do të na thonë të dalim. Nuk e dëshirojnë askënd që të përfundojë keq. Tashmë e dinë që është një gjë e sigurt, pasi nuk do të na thonin të dilnim jashtë, për mendimin tim. Unë mendoj se nëse të tjerët vendosin se do të stërvitemi do të jem i pari që do të shkoj. Jam dakord që LaLiga të përfundojë. Nëse nuk mbaron, askush nuk e di se kush do të zbresë nga kategoria, kush shkon lart… Disa ekipe që janë drejt vendeve të fundit dhe nuk duan të shkojnë në Second B. Të tjerët duan të jenë në gjashtë të parët dhe të shkojnë lart … Unë dua LaLiga për ta përfunduar në fushë, por nuk duket më e mira që ne po stërvitemi dhe njerëzit që vdesin, është një situatë e ndërlikuar.
Këtu në shtëpi, jemi të qetë, duke punuar në atë që na dërgon personeli teknik, duke pritur të punojmë së bashku me grupin. Na është thënë që do ta kemi filluar individualisht stërvitjen të hënën, por nuk është e sigurt. Le të shohim se çfarë ndodh këto ditë. Unë jam duke ndenjur në shtëpi, por njeriu lodhet nga koka dhe gjithçka, nuk është normale gjithë ditën i mbyllur. Le të shohim pak dritë. Unë stërvitem me babanë tim, kam atë që është gjithmonë me mua. Ka qenë futbollist, ka luajtur në vendin tim, gjithmonë më ka edukuar duke stërvitur. Ai gjithmonë më ndihmonte.
Malaga dhe e ardhmja? Ndihem i lumtur këtu, menaxheri nuk më ka treguar për ofertat. Si përfundim vendos klubi. Nëse ata kanë nevojë që Bare të largohet, atëherë unë do të largohem”, tha Bare. /Sport Ekspres/