Shqipëria do të luajë kundër Spanjës në datën 26 mars. Por sulmuesit e Shqipërisë janë në “thatësirën e golave” të shënuara para këtij takimi, të provës së vërtetë. Duke hequr Armando Brojën për të cilin është folur shumë, situata nuk duket shumë optimiste.
Sokol Cikalleshi është ndikuar nga dëmtimi që e ka lënë për disa ndeshje jashtë fushës. Lojtari kuqezi e ka nisur shpeshherë nga stoli në takimet e fundit dhe goli i tij i përket datës 18 shkurt ku ka shënuar nga 11-metrat. Rei Manaj mund të bindi me lojë, por marrëdhënia e tij me portën nuk ka qenë asnjëherë e mirë, përveçse kohës kur ishte pjesë e Barcelonës B.
Sa i përket Myrto Uzunit, sulmuesi është ende në pritje të golit të parë në La Liga, teksa realizimi ndaj Valencias është llogaritur si një autogol i portierit. Ndërkohë edhe Vrioni nuk po vazhdon si një makineri golash në Austri pasi në 6 ndeshjet e fundit të tij ka realizuar vetëm 1 herë, me portën e boshatisur. Statistika që nuk janë shumë bindëse këto për legjionarët tanë kur përballë tyre do të jenë mbrojtës të njohur në Europë. /Sport Ekspres/