Vangjel Zguro është transferuar këtë janar nga Gjirokastra në Kamzë, duke u larguar në mënyrë të çuditshme nga Luftëtari. Në fakt flitet se e kërkonte Partizani, por nuk dihet ku ngeci gjithçka dhe mbrojtësi i majtë përfundoi në Kamzë. Para pak ditësh vetë Zguro postoi një status ku përshëndetej me tifozët, pa polemizuar, por ndoshta gjërat nuk kanë qenë aq të qeta, sepse sot mbrojtësi ka sulmuar presidentin e Luftëtarit Grigor Tavo, duke e akuzuar se i ka borxh 8 milionë lek. Sipas Zguros, ajo që është më e rëndë është se vetëm ai nuk është paguar.
“Të nderuar qytetarë gjirokastritë. Unë e di mirë sesa shumë më keni dashur, por dua t’ju sqaroj diçka, thjesht të jem dhe korrekt dhe ju ta dini të vërtetën. Presidenti i Luftëtarit, Gole Tavo, mua Vangjel Zguros, momentalisht i ka 8 milionë lekë të vjetra dhe ju e dini shumë mirë si kam luajtur unë çdo ndeshje për Luftëtarin. Në qoftë se do ishin gjithë çunat pa i marrë lekët dhe unë do isha dakord, por jo unë të jem i vetmi që të kem 8 milionë lek për të marrë dhe të gjithë kanë vetëm 1 muaj, dhjetorin. Unë nuk hedh poshtë aty ku ha, ama jo mua të më hedhë poshtë djersën presidenti dhe nuk më kthen asnjë përgjigje për lekët e mija. Rrija 8 orë larg familjes për ato lekë, është sakrifica ime dhe mundi im. E shkrova gjithë këtë sepse dhe tifozët po më shkruajnë: Pse e le Luftëtarin në këtë mënyrë, pse u largove, ja sepse. Sepse presidenti i Luftëtarit u tall me djersën time, ndërkohë që unë për çdo ndeshje të Luftëtarit kam dhënë maksimumin tim dhe ju keni qenë dëshmitar te çdo ndeshje. Në qoftë se unë jam njeriu i keq se po e shkruaj këtë tani, një të vërtetë, se në Shqipëri kështu thonë, ju e dini shumë mirë kush është Vangjo Zguro brenda fushe dhe jashtë fushe, sepse luajta një vit aty dhe më njihni. Megjithatë, respekte pafund tifozëve të Luftëtarit nga Vangjo Zguro”.