Nga Klaudio Ndreca
Situata në Shkodër ka prekur pikën më të nxehtë, atje ku ka pasur një përplasje dhe debate mes administratorit Suad Lici dhe lojtarëve. Këta të fundit kanë bojkotuar stërvitjen përfundimisht dhe janë larguar me makinat e tyre personale, për shkak të rrogave të pamarra. Ndërkohë kriza është aq e thellë aqsa Lici është shprehur për “Fan Zone” se po mendohet edhe përfaqësimi me Vllazninë B në Superiore. Kjo për arsyen se nuk shihet e mundur përmbushja e kushteve të vendosura nga lojtarët e Vllaznisë A, për t’u paguar deri në muajin maj dhe më pas të negociojnë për qershorin dhe korrikun.
“Diskutova me sportistët për vazhdimësinë. Ia thashë që klubi nuk është në gjendje të paguajë për një punë të pakryer gjatë këtyre dy muajve, ndërkohë që FSHF ka dhënë një minimum jetik. Lojtarët nuk e kanë parë kështu këtë çështje dhe sigurisht që nuk është pozitive. Nëse ata do të vazhdojnë kështu, atëherë jemi të detyruar që të luajmë me ekipin e të rinjëve dhe Vllazninë B. Ne kemi likuiduar pagat për muajin janar dhe na ka mbetur vetëm muaji shkurt.
Në kushte të jashtëzakonshme nuk mund të paguajmë një punë të pakryer. Nëse nuk bien dakort, atëherë do shohim zgjidhje të reja. Ardhja e Xhaferit? Është kryetarja e Bashkisë që e shqyrton, por do t’i jepte një zgjidhje njëherë e përgjithmonë këtij problem. Do të ishte mirë për gjithë Shkodrën se nuk do përballeshim me këtë situatë. Ne jemi në situatë të jashtëzakonshme, në muajin mars dhe prill kemi qenë të mbyllur. Ju më jepni një klub që është treguar në korrektsi 100% duke paguar edhe në këto muaj. Në fakt ato kanë kriza edhe më të mëdha, prandaj po të isha unë lojtar do të vazhdoja kampionatin. Nuk është zgjidhja bojkoti, duhet të bëhet sakrifica për të luajtur edhe pa lekë”, ka thënë Lici. /Sport Ekspres/