Humbjet nga ndërprerja e kampionatit të futbollit janë të mëdha dhe për këtë arsye klubet dëshirojnë të mbyllin me patjetër këtë sezon në fushën e lojës. Madje janë të gatshme të luajnë edhe pa praninë e tifozëve në mënyrë që të zbusin dëmet financiare. Megjithëse situata e Covid-19 ka ngritur një kaos dhe ende nuk dihet se kur kampionatet do të rinisin sërish, në Rumani kanë një plan të pazakontë dhe po shqyrtojnë mundësinë për të përfunduar gjithçka në një shtet tjetër.
Vendi ku ekipet shqiptare të Superiores kryejnë çdo vit seancat e tyre përgatitore përpara nisjes së sezonit, këtë herë mund të kthehet në barkën e shpëtimit të elitës rumune. Kështu në video-konferencën mes Federatës së Rumanisë dhe përfaqësuesëve të klubeve, kreu i qeverisë rumune të futbollit, Bodescu, ka hedhur idenë që si plan shpëtimi të përdoret përfundimi i kampionatit në Antalia. Sipas tij shpenzimet për në vendin turk nuk janë të larta dhe është një zonë ku përveç ekipeve shqiptare edhe ato rumune janë familjare pasi kanë zhvilluar aty përgatitjet e tyre. Të gjitha palët pjesëmarrëse në konferencë i kanë thënë “po“ këtij propozimi, ndërsa mbetet të merret edhe drita jeshile nga FIFA dhe UEFA./Halit Delibashi-Sport Ekspres/