Në pjesën e parë ishte shumë pranë golit, por vetëm traversa i mohoi festën, ndërsa në pjesën e dytë ishte protagonist kur Kamza pretendoi për një 11-metërsh. Pas ndeshjes, sulmuesi i Kamzës ka folur për ndeshjen me bardhezinjtë për “Supersport”, ku është ndalur kryesisht te gjykimi dhe momenti i kartonit të kuq, ku ka treguar dhe për vendimin e marrë e bisedës që pati me gjyqtarin kryesor.
NDESHJA – “Ishim përgatitur deri diku të kishte ndikim nga arbitri. Edhe trajneri na tha që ne të vijonim lojën e të na motivonte më tepër. Kartoni i kuq ishte i shpejtë dhe ndikoi në rezultatin e ndeshjes, por dhe aspektin psikologjik. Sigurisht edhe në lodhje, sepse është e vështirë që të luash për më shumë se 70 minuta me 10 lojtarë. Siç e menduam deri diku shkoi situata e vështirë. Provuam dhe kur ishim 1-0. Nuk është e lehtë që të luash me 10 lojtarë dhe të vësh në vështirësi kundërshtarët. Bëmë maksimumin dhe doja të uroja dhe lojtarët për shpirtin e garës dhe impenjimin që patën”.
MOMENTI PAS KARTONIT TË KUQ – “Ishte emocionale, pasi tribuna është afër dhe presidenti ishte aty. Ishte një moment që donin ta linim ndeshjen, pasi u mendua se është padrejtësi. Ai po vriste garën shumë shpejt. U menduam dhe bashkë me trajnerin u vendos që të vazhdojmë dhe të tentonim mundësinë që kishim”.
BISEDA ME GJYQTARIN – “Gjyqtari tha për pasojat nëse do të merrej ai vendim. Isha i detyruar që t’i vija në dijeni, pasi nuk më takonte mua si vendim. Kur e mendoi presidenti ashtu edhe mund të ndodhte. Kur dëgjuam dhe pasojat vendosëm që të vazhdonim”.
PARAQITJA – “Tre ndeshjet e fundit kanë qenë shumë të mira, por të jemi të sigurt se gara është e gjatë dhe duhet të luftojmë deri në javën e fundit. Gjendja e skuadrës është e mirë dhe kemi treguar shpirt gare, jemi paraqitur mirë dhe mendoj se të jep besim e shpresë së gjërat do të përmirësohen së bashku me rezultatet e mira”.