Verën e shkuar Skënderbeu nderoi Korçën dhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ndërsa një rol vendimtar luajti edhe Sebino Plaku me gola tepër të rëndësishëm. Megjithatë, sulmuesi në fund të verës u largua me shumë polemika, për shkak se nuk ishte dakord me hapësirën e paktë që iu dha nga trajneri Ilir Daja.
Fati i Kamzës, sepse sulmuesi ka shënuar gola shumë “të rëndë” dhe po ndihmon skuadrën debutuese të mbijetojë, ndërkohë që largimi ishte zgjedhja ideale për të, sepse në Korçë do të kishte pasur probleme gjatë gjithë sezonit.
Mbrëmë Plaku ishte i ftuar në emisionin ‘Zona Gol’ në Supersport, ku ishte paralel me trajnerin Ilir Daja. Asnjë debat mes tyre, gjithçka e harruar, të paktën me fjalë.
“ Mendoj e ky sezon ka qenë shumë pozitiv për mua dhe besoj se largimi ka qenë zgjidhja e duhur për të dyja palët. E falënderoj Ilir Dajën, pasi prej tij shkova te Skënderbeu, por jo për mundësinë që më dha në ndeshjet e Europa Ligës. Gjithsesi, nuk kam droje të falënderoj asnjë trajner me të cilin kam punuar dhe të njëjtën gjë mund të them edhe për Dajën”, deklaroi Plaku, i cili në një farë mënyre u vë kapak polemikave, edhe pse nuk harron ta përmendë arsyen e zhgënjimit të tij në Korçë.
Mbijetesa – “Ne kemi qenë gjithmonë me këmbë në tokë, edhe kur ishim në vendin e 4-t dhe thuhej se jemi për në Europë, por edhe kur ishim më të rrezikuar për të rënë. Kemi punuar në qetësi, i kemi marrë ndeshjet me radhë dhe kemi dhënë maksimumin. Këtë javë na eci mirë, pasi fituam ne dhe humbi kundërshtari, por deri sa ta sigurojmë matematikisht mbijetesën, duhet të japim maksimumin në fushën e lojës”.
Ahmataj – “Ahmataj duhet vlerësuar fillimisht për guximin, pasi në atë situatë vështirë se do të pranonte trajner tjetër për të drejtimin e Kamzës. Madje që në javën e parë kundër Skënderbeut, përtej vështirësisë së sfidës, tentoi të fusë një taktikë të re”.
Finalet me Teutën e Vllazninë – “Me Teutën e patëm nën kontroll lojën gjatë gjithë kohës, por më shumë vuajtëm në Shkodër, sepse Vllaznia na vuri shumë në vështirësi. Gjithsesi ia dolëm të menaxhojmë shumë mirë të dy sfidat dhe të marrim rezultate pozitive, ndonëse i kishim të dyja në transfertë”.