“Plaga” është e hapur, Tirana e Vllaznia gjithçka për gjithçka

Skuadrat duan kualifikimin dhe trofeun. Bardheblutë e shohin si shpëtimin e sezonit. Mungojnë Çinari e Hasani

E përqendruar tërësisht në luftën e egër të kampionatit, ku pas dy fitoreve të realizuara brenda javës së kaluar ndaj Lushnjes dhe Luftëtarit, Vllaznia është në pritje të sfidës tjetër po aq të rëndësishme të fundjavës ndaj Laçit. Por kuqebluve u duhet të spostojnë vëmendjen për një çast te Kupa. Kalendari u ka rezervuar Tiranën, një sfidë që si gjithmonë i ka brenda të gjitha, historinë, traditën, emocionet, grintën, por edhe dramacitetin në fushë dhe jashtë saj. Sfida në fjalë bëhet edhe më interesante ndërsa kujtojmë atë ballafaqim dramatik të pesë muajve më parë në “Loro Boriçi”, që për dy palët do të mbahet mend gjatë për emocionet e pafundme që prodhoi. Natyrisht që në kampin bardheblu “plaga” e marrë pas asaj ndeshje që i zhvendosi në Kategorinë e Parë është akoma e freskët. Kjo është edhe një nga arsyet që sfida e sotme në “Selman Stërmasi” do të jetë në qendër të vëmendjes, jo vetëm të dy kampeve respektive, por edhe opinionit sportiv në tërësi. Kuqeblutë, me një vlerësim maksimal të këtij kompeticioni, duke ardhur edhe me një moment të mirë psikologjik që i kanë dhënë dy fitoret radhazi, kërkojnë jo vetëm kalimin e turit, por edhe për t’i shkuar Kupës deri në fund. Ndërkohë, nga ana tjetër edhe bardheblutë, që edhe pse gjenden aktualisht në një kategori më poshtë, kërkojnë të njëjtën gjë: fitimin e Kupës.

FORMACIONI

Në pritje të ndeshjes me Tiranen, takim që luhet mbrëmjen e sotme duke filluar nga ora 18.00, kuqeblutë e Vllaznisë patën në dispozicion dy seanca stërvitore. E para, ajo e paradites, është zhvilluar në palestër ndërkohë që të martën skuadra është stërvitur në kompleksin sportiv “Hasaj”, aty ku tekniku Gjoka ka shfrytëzuar mundësinë e një kolaudimi të skuadrës për sfidën e sotme në kryeqytet. Menjëherë pas përfundimit të kësaj seance, futbollistët e planifikuar për këtë ndeshje janë nisur drejt kryeqytetit. Nga sa është parë, me skuadrën nuk kanë udhëtuar dyshja Hasani-Çinari, çka do të thotë se priten ndryshime në formacion.

Gaspër Marku

Formacioni i mundshëm i Vllaznisë (4-3-3)

Selimaj – Gocaj, Gurishta, Orelesi, Marku – Tafili, Krymi, Bardulla – Lika, Vucaj, Atsina,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *