Ralf Rangick është pothuajse një hap larg kalimit tek Milani, ku do të mbajë postin e trajnerit e të ekipit. Gjermani do të zëvendësojë Stefano Piolin, i cili e mori skuadrën në një situatë mjaft të vështirë, por që arriti të gjejë ritmin e duhur pas rihapjes së futbollit italian.
Milani është në vendin e 7-të në kampionat, me pikë të barabarta me kundërshtarin kryesor, Napolin. Edhe pse ekipi i tij po kalon një formë mjaft të shkëlqyer, Pioli mbetet i fokusuar deri në fundin e sezonit. Në konferencën për shtyp, në kuadër të ndeshjes me Bolonjën, Stefano Pioli u pyet nga gazetarët mbi të ardhmen e tij tek Milani, por këto pyetje nuk i pëlqyen teknikut kuqezi.
“Puna e mirë që po bëjmë duhet të vazhdojë. Rezultatet nuk vijnë menjëherë, por më pëlqen që skuadra e ka gjetur ritmin në fushën e lojës, dhe po zhvillojmë ndeshje shumë të mira. Jam i fokusuar vetëm tek Milani, që të bëjmë sa më mirë deri në fundin e sezonit. Për asgjë tjetër! Po flasim më shumë për të ardhmen time sesa për klubin.”- u shpreh trajneri i Milanit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/