Peter Pacult ka folur në mediat austriake mbi aventurën që ai kaloi në Shqipëri. Trajneri austriak ka drejtuar për një periudhë të shkurtër ekipin e Kukësit, me të cilët u rendit në vendin e dytë në kampionatin shqiptar. Pacult tregon se në Shqipëri nuk ekziston mafia dhe se është një vend ku mund të punosh normalisht, ndërsa ka thënë se është në natyrën e ballkanasve që të nervozohen lehtë. Njerëzit janë shumë miqësor, por vendi është i varfër, shton ish trajneri i Kukësit.
“Kështu funksionon në Ballkan, prandaj presidentët nervozohen shpejt. Kur erdha në Shqipëri, kishte një ndalim ndërkombëtar për trukim ndeshjesh. Nuk e dinim çfarë ndeshje ishin. Lojtarët në Shqipëri nuk shqetësoheshin në stërvitje nga mafia, sepse nuk ekzistonte një çështje e tillë. Nuk më është dashur të përjetoj asgjë. Shteti është realisht i varfër. Lojtarët fitojnë sa në kategorinë e dytë të tonën. Njerëzit janë miqësor. Kam punuar atje normalisht, për të paktën gjysmë viti. Por atje nuk kishte mafia”, u shpreh Pakult. /Sport Ekspres/