Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes ka vendosur që Asamblenë e Jashtëzakonshme ta zhvillojë në përfundim të Kampionatit Evropian së të rriturve në Tiranë, më 22 mars-1 prill. Madje atributet e presidentit tashmë i ka marrë presidenti i nderit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Akademiku Gudar Beqiraj, që sipas vendimit të Komitetit Drejtues është në rolin e zëvendëspresidentit që nga asambleja zgjedhore e 2016-ës në Vlorë. Mirëpo në fakt në statutin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, që është firmosur nga ministri i asaj kohe, Ferdinand Xhaferri, e që mban vulën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në kapitullin detyrat e presidentit, neni 25, pika f thuhet: Në rast dorëheqje të presidentit atributet e tij deri në zhvillimin e Asamblesë së Jashtëzakonshme zgjedhore i merr zëvendëspresidenti. Realisht, edhe sipas burimeve të mirinformuara, Federata Shqiptare e Peshëngritjes rezulton pa zëvendëspresident, përtej asaj që thotë vendimi i Komitetit Drejtues të datës 18 janar.
“Në bazë të Statutit të FSHP-së, Komiteti Drejtues do të bëjë Asamblenë e Jashtëzakonshme pas Kampionatit Evropian”, thuhet në vendim. Ndërkohë, po në vendimin e Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, më 18 janar, është thënë: “GJOZA do të jetë Presidenti i Komitetit Organizator të Evropianit 2018, pasi së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të FSHP-së, Agron HAXHIHYSENI, kanë firmosur kontratën për organizimin e këtij aktiviteti. Mosrealizimi i këtij Kampionati do t’i kushtonte FSHP 100.000 euro gjobë”.
Duket pak si jo normale që një president i dorëhequr të jetë në krye të Komitetit Organizativ të Kampionatit Evropian të Peshëngritjes më 2018-ën. Por për të mirën e punës e për të mos dëmtuar imazhin e shtangës shqiptare dhe të sportit në tërësi duket se dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në këtë pikë ka për ta bërë një “sy qorr” dhe një “vesh shurdh”. “Njëkohësisht ai do të jetë pjesë e FSHP-së në rolin e sponsorit, detyrë të cilën e ka kryer me shumë përkushtim”, thuhet në fundin e vendimit të Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.
Por ajo që mbetet është dorëheqja e Gjozës, ndërkohë që sportistët e trajnerë kishin mbledhur firmat dhe me një letër të hapur i ishin drejtuar Kryeministrit Rama, ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Nikolla, dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Por përpara se të zbardhej, ajo letër, Gjoza ka dhënë dorëheqjen, ndërsa është i pari president në federatat sportive që kryen aktin burrëror të dorëheqjes.
PROTESTA Sot disa peshëngritës kanë dalë në një deklaratë për mediet, ku kanë sulmuar Gjozën dhe presidentin e përkohshëm Beqiraj.
Ata kanë kërkuar zgjedhje të menjëhershme në FSHP: “Duam zgjedhje urgjente, ky është skandali i kusarit Elez Gjoza. Ne duhet të vendosim për të ardhmen tonë, të marrin fund këto skandale, se ne djersitemi, lodhemi në palestër, gjithçka duhet të shkojë siç i takon këtij sporti burrëror të peshëngritjes. Të zgjidhet presidenti i ri në mënyrë që të organizojmë Kampionatin Europian. Jo të merret Gudar Beqiraj, sepse s’ka asnjë asnjë kontribut.”