Nga Klaudio Ndreca
Vedat Muriqi është një shembull për t’u marrë dhe model që tregon qartësisht se e pamundura nuk ekziston, por vetëm vështirësia për të mbërritur në nivelin më të lartë. Peter Olainka ishte një tjetër rast që rruga e karrierës e kryqëzoi me Shqipërinë, për të shkëlqyer më pas me yjet e Barcelonës dhe për t’i shënuar gol Interit.
Nga ana tjetër, Muriqi nuk ka shfaqur shumë aftësi në kampionatin tonë, nisur nga besimi i pakët i klubeve kundrejt tij. Por i dogji të gjitha etapat dhe sot është zyrtarizuar te Lacio. Në kohën kur do të mbërrinte te Teuta, trajneri i durrsakëve ishte Gentian Begeja. Në një intervistë që “Sport Ekspres” ka marrë disa kohë më parë me Begejën kur sulmuesi shkoi te Fenerbaçe dhe që duhet ta risjellim sërish në vëmendje pas zyrtarizimit të Muriqit te Lacio, trajneri shqiptar na tregoi edhe përshtypjen e tij të parë: “Çfarë gjiganti”.
Menjëherë do të mbërrinte te presidenti i ekipit të Teutës për t’i thënë se ka ardhur një futbollist me vlera të mëdha, por në fakt ai që do të largohej më pas ishte Begeja. Teuta nuk do t’i jepte shumë besim lojtarit për t’u huazuar te Besa e Kavajës dhe prej andej erdhi aventura e radhës në Turqi.
“Unë atë djalin e kam ndjekur hap pas hapi që kur ka ikur në kampionatin turk. Atë vit që ka ardhur te Teuta, kam qenë unë trajner. E mbaj mend, ishim në fazën përgatitore të dimrit. Na e kanë sjellë në skuadër dhe përshtypja e parë që unë krijova ishte: “Çfarë gjiganti”. Numrin e këmbës e kishte “48” dhe për këtë bënim shaka shpeshherë. Kam shkuar urgjentisht te presidenti i ekipit dhe i kam thënë se e donim në skuadër. Jam befasuar atëherë nga ai lojtar dhe kështu ndodhi, e federuam pa e menduar dy herë. Pastaj unë jam larguar nga Teuta, hapësirat e Muriqit ishin të pakta dhe ka shkuar si huazim te Besa e Kavajës.
Problemi i lojtarit është që të ketë dëshirën për t’u rritur. Duhet të jesh profesionist dhe ta dashurosh këtë punë që bën. Ndonjëherë është edhe çështje fati, por unë jam i bindur se Muriqi e ka arritur vetëm me punë. Ai ishte kokëulur që atëherë. Nuk befasohem që ka mbërritur deri në këtë pikë. Nuk është shembulli i parë që del nga Superiorja, por është një shembull për t’u marrë. Pra, asgjë nuk është e paarritshme”, do të shprehej Begeja. /Sport Ekspres/