Përshkroi katër kufij të shteteve në këmbë, historia rrënqethëse e talentit shqiptar të Shalkes

Vuajtjet e familjeve shqiptare kanë qënë të mëdha ndër vite me emigrimet shpeshherë të jashtëligjshme dhe peripecitë e kaluara për një jetë më të mirë. Një histori të tillë e ka kaluar edhe Diamant Berisha, lojtari i cili aktualisht është pjesë e Shalkes U-23. Gjatë luftës në Kosovë prindërit do të zhvendoseshin në Gjermani dhe më vonë për të kaluar në Norvegji, atje ku do pas disa kohësh të pajiseshin edhe me shtetësinë norvegjeze.

Me mbarimin e luftës do të vinte edhe kthimi i familjes së Berishës në Kosovë, atje ku do të lindte edhe motra e Diamantit. Nëpërmjet një rrëfimi për “Schalke04”, Diamanti ka treguar së bashku me motrën e tij të gjitha peripecitë e kaluara për një jetë më të mirë. Në vitin 2015 do t’i bashkoheshin një grupi të madh emigrantësh që kaluan në këmbë kufirin e Serbisë, Hungarisë, Austrisë për të mbërritur në Gjermani.

Netët radhazi të përshkruara në këmbë dhe lodhja fizike ishin kryefjala për rutinën e këtij grupimi, që shpeshherë duhej të ndahej për të mos rënë në syrin e policisë. Sidomos sa i përket kontrollit në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë ku çdo pjesë e rrugës kontrollohet rreptësisht. Sendet e marra në “valixhe” gjatë këtij udhëtimi kanë një simbolikë më vete për Diamantin pasi kishte një palë atlete dhe një top futbolli. E gjithë kjo sakrificë e kaluar po i shpërblehet lojtarit që është pjesë e Shalkes U-23 dhe njëkohësisht ka luajtur edhe me Kosovën U-21. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *