Sulmuesi anësor, vetëm një ditë bardhezi. Më parë braziliani nuk kishte lejuar që mbrojtësi i djathtë t’i bashkohej skuadrës së Kukësit. Verilindorët e deshën në huazim
Olsi Avdiaj
Bedri Greca u mendua se do të kontribuonte për Laçin në kupat e Europës, pasi sulmuesi anësor i Tiranës u vu dje paradite nën urdhrat e trajnerin Besnik Prenga. Në fakt mes klubeve pati një marrëveshje për huazimin e 27-vjeçarit, por më pas gjithçka është anuluar. Ka qenë tekniku Ze Maria i bardhebluve që nuk ka qenë dakord për këtë lëvizje. Greca, autor i 14 golave me skuadrën kryeqytetase sezonin e fundit, do të ishte pjesë e Laçit të paktën deri më datë 19 korrik. Pikërisht në këtë datë kurbinasit luajnë ndeshjen e kthimit në Europa Ligë kundër Anorthosis Famagusta. Së shpejti Tirana do të nisë përgatitjet dhe normalisht që trajneri brazilian kërkon ta ketë ekipin sa më të plotë dhe të përgatitet sipas planit të tij stërvitor. Kështu, marrëveshja me Laçin për Grecën ka rënë poshtë dhe tashmë sulmuesi anësor duhet të presë datën e nisjes së përgatitjeve me Tiranën. Sa i takon Hoxhallarit, nuk ndryshon asgjë për të. Mbrojtësi i majtë do të qëndroje me kurbinasit për ndeshjet e Europës. Bardhezinjtë duhet të gjejnë një tjetër zgjidhje për krahët e sulmit.
RASTI DOKA – Tirana i mohoi ditë më parë Albi Dokës ndeshjet në Champions League me Kukësin. Klubi i drejtuar nga Peter Pakult kohë më parë i kërkoi Tiranës që të merrte për ndeshjet e Europës, Albi Dokën. Si Tirana dhe Kukësi janë ulur në bisedime dhe është vendosur që Albi Doka të luajë në Europë me Kukësin. Në momentin përfundimtar kur Doka dhe Kukësi do të firmosin marrëveshjen për ndeshjet në Europë, klubi bardheblu ka bllokuar kalimin, pa asnjë arsye konkrete. Një goditje e rëndë për lojtarin bardheblu, i cili shpresonte që ndeshjet e Championsit ku do të luante t’i kishte vitrinë për merkaton. Në fakt, Tirana në mënyrë të çuditshme sekondën e fundit i ka thënë jo Dokës e Kukësit. Jo vetëm kaq, por ky veprim ka qenë jo i njëjtë me çështjen Hoxhallari, i cili u lejua të luante në Europë. Nga ana tjetër, lojtari i Shpresave jo vetëm që humbi një shans për t’u reklamuar, por edhe një shumë të mirë parash, që do të merrte ai nga ndeshjet e Europës. Përfundimisht Doka humb Europën për një kapriço të klubit Tirana, që nuk e lë të luajë në Champions League.
Hoxhallari – Disa javë më parë u zyrtarizuar marrëveshja e re me Erjon Hoxhallarin, ndërkohë që të hënën ka ardhur një lëvizje e papritur: 22-vjeçari do të veshë fanellën e Laçit. Gjithsesi trajneri Ze Maria nuk duhet të shqetësohet shumë, pasi do ta ketë mbrojtësin e majtë pjesë të ekipit në kampionat, sigurisht nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë gjatë verës. Marrëveshja mes dy klubeve është për huazimin e Hoxhallarit për ndeshjet e kupave të Evropës. Presidenti Refik Halili i është përgjigjur pozitivisht ftesës së homologut të tij Pashk Laska, duke lejuar lojtarin e tij që të provojë një eksperiencë të re me fanellën e Laçit. Kjo është hera e dytë që Hoxhallari huazohet, pasi në të shkuarën bardheblutë e patën dërguar te Teuta. Në sezonin 2014-2015 ai dha kontributin e tij për durrsakët dhe sezonin pasardhës u kthye në shtëpi. Prej tre sezonesh radhazi luan me Tiranën dhe me shumë mundësi rrugëtimi i tij me fanellën bardheblu pritet të jetë i gjatë.