“Përse u eksituan keq lojtarët e Vllaznisë?”, trajneri i Kastrioti shpërthen keq: Herën tjetër do lë ndeshjen në mes…

Kthimi i Vllaznisë ndaj Kastriotit vjen me plot kuptimin e fjalës. Jo vetëm tre pikët të marra që mungonin prej shumë ndeshjesh, por goli i ardhur në minutat e fundit si dikur kur shkodranët nuk ndaleshin përmbyllet më së miri me rimarrjen e kryesimit të Superiores.

Përballja me krutanët nuk ishte aspak e lehtë teksa goli erdhi me kokë nga Hoxhaj pas krosimit të Krujës në minutën e 91. I gjithë stafi shkodran është futur në fushën e lojës duke u çliruar nga presioni i ardhur në gjithë këto javë.

Ndërkohë në rrugën e titullit është futur edhe Tirana që ka fituar në shifrat 1-2 ndaj Lacit. Dy talentet e akademisë Ismajlgeci dhe Celhaka i ka dhënë fitoren bardhebluve që tanimë janë vetëm 7 pikë larg kreut dhe mbeten ende në garë. Goli i Mazrekajt nga goditja e këndit do të jetë vetëm një statistikë për Laçin.

Kukësi ka humbur tërësisht busullën, ndërsa këtë herë ishte Ndreca që i mundi i vetëm me dopietën në rezultatin 2-1. Një fitore në minutat e fundit me shumë peshë ka marrë edhe Skënderbeu ndaj Apolonisë pas penalltisë të ekzekutuar saktë ng Meksi, duke ia dalë në shifrat 1-2. Më poshtë gjeni edhe intervistat për “Supersport”:

Ndreu (Kastrioti): “Është e çuditshme sesi nuk jep penallti arbitri për ne, se ishte penallti e pastër. Nuk e dha. Nuk e di, nuk duhet të merremi se shkatërrojmë nervat. Arbitrat duhet të jenë të kujdesshëm se ndikojnë për ne. Lojtarët duhet të kuptojnë se loja mbaron kur vërshëllen arbitri. Nga shpërqendrimi e kemi pësuar. Nuk e kuptova dot tërbimin e lojtarëve të Shkodrës, nuk e kuptoj, ishte tërbim total. Ishin eksituar fare. Dy-tre lojtarë që erdhën dhe festonin para nesh. Ne jemi e vetmja skuadër që nuk kemi marrë penallti. Si nuk na e dha, do boks që ta japësh(minuta 14)? Bylisi po afrohet? Nuk më intereson fare. Unë e jap fjalën këtu publikisht se nëse më hanë hakun ndeshjen tjetër, do e lë ndeshjen në mes”.

Shehi (Tirana): “Fitore e rëndësishme për Tiranën. Erdhëm këtu që të kthehemi atje ku duhet dhe atje ku na takon. Tirana luan për objektiva madhor. Unë drejtoj ekipin më të titullar në vend. Pritshmëritë janë të mëdha dhe ne do të tentojmë që të ngjitemi aty ku na takon. Lojtarët duhet t’i gëzojë për atë shpirt gare që treguan deri në fund. Gabimi i Likës? I thashë edhe në përfundimin e ndeshjes që ke një jetë në sport dhe do të na ndihmosh. Na ndihmoi në minutat e fundit.

Memelli (Skënderbeu): “Rastet e krijuara dhe intensiteti ka qenë i jashtëzakonshëm. Kjo më jep shumë besim për vazhdimin në javët e ardhshme. Kur kam ardhur në 3 shkurt gjeta lojtarët që nga ana psikologjike ishin të rënë përtokë. Më pas e menduam se peshorja nuk është në disnivelet më të mëdha në aspektin e cilësive. Duke rritur besimin se duhet të bëjmë gjërat e thjeshta, jo të pamundura, kanë ardhur edhe rezultatet. Sot ishte merita vetëm e lojtarëve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *