Një diskutim i ri ka lindur në ambientin e futbollit shqiptar dhe është vazhduar në studion e “Zona Gol”. Bëhet fjalë për kufizimin që kanë ekipet tona për të aktivizuar lojtarët e huaj, duke mos aktivizuar dot më shumë se katër të tillë. Llogjika e kësaj politike është për t’i dhënë më tepër besim dhe mundësi produktit vendas dhe që të dërgojë në rritjen e tyre. Por në të njëjtin mendim nuk qendron gazetari i “Supersport”, Gjergji Stefa, i cili shprehet se për të mbërritur te suksesi duhet me doemos shtimi i futbollistëve të huaj dhe që të mos vendoset një kufizim për ekipet shqiptare.
“Unë nuk e kuptoj se përse duhet që t’i ndalosh klubet që të vendosësh për projektet e tyre. Përse duhet të më tregosh mua se çfarë duhet të bëj unë te biznesi im? Përse në Shqipëri lejohen të luajnë vetëm 4 lojtarë të huaj dhe jo më shumë? Përshembull nëse unë jam president klubi dhe kam buxhet 8 milionë euro. Çfarë do të bëj për ta kthyer një ekip shqiptar që të bëhet i madh? Si do të investojë këto para? Duhet të rrisë artificialisht rrogat e futbollistëve shqiptarë? Nuk funksionon kjo llogjikë. Keni rastin e Ludogorest që luan me 7 lojtarë të huaj, ke Apoel Nikosian me 10 lojtarë të huaj.
Karabaku nga ana tjetër që ka po prapë një numër të madh të lojtarëve të huaj dhe i çon te suksesi. Përse në Shqipëri nuk duhet të marrim më shumë lojtarë të huaj? Po nëse e marrim këtë llogjikë, atëherë Muçi duhet të shkojë në Kroaci pastaj kur bëhet shitja. Pra unë them që nuk duhet të vendoset me pasaportë, por me punën që bëhet. Unë kam folur vetë me Takajn që ka bërë histori të madhe me Skënderbeun duke e nisur që nga turet e para dhe deri në grupe. Më ka thënë që nëse unë kisha 7 lojtarë të huaj dhe në Shqipëri aktivizoja vetëm 4 të tillë. Por kur shkonte në Europë i aktivizonte të gjithë këta lojtarë të huaj Skënderbeu dhe prandaj bëri sukses”, tha Stefa. /Sport Ekspres/