Kristjan Asllani është rikthyer në Itali pas grumbullimit me Kombëtaren. 20-vjeçari mungoi në fushë në sfidën ndaj Islandës dhe në opinionin sportiv u krijua përshtypja se vendimi lidhej me paraqitjen jo të mirë të zhvilluar në ndeshjen e parë kundër Izraelit. Por duket se situata qendron krejt ndryshe.
“Corriere dello Sport“ sqaron arsyen përse Asllani nuk luajti kundër Islandës në “Air Albania”. Media italiane shpjegon se Reja dhe Federata patën mirëkuptimin për të kursyer mesfushorin shqiptar, duke ditur rëndësinë e tij për Inzagin në duelin kundër Romës në Serie A. Sipas medias në fjalë, trajneri i Kombëtares kuqezi është sensibilizuar pas një telefonate të ardhur nga Interi. Kujtojmë se Brozoviçi është i pezulluar për ndeshjen e radhës dhe pritet që Inzagi të aktivizojë nga minuta e parë Asllanin kundër Romës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/