Anton Cicani
Nëse do t’iu thonin se Kamza në 6 javët e para të kampionatit, duke vendosur kalendarin përballë (Kukësi, Skënderbeu, Lushnja, Teuta, Luftëtari dhe Vllaznia) do të dilte me 9 pikë, atëherë padiskutim që do të nisnit të qeshnit, duke thënë “e shumta 3 pikë dhe janë mjaftueshëm”. Por, futbolli nuk është shkencë ekzakte, për fatin tonë të mirë, ndryshe përballja ndaj Skënderbeut do të kishte përfunduar me goleadë të ekipit që prej vitesh, duke hequr sezonin e vjetshëm, është duke bërë diçka të jashtëzakonshme në futbollin shqiptar, por edhe jashtë kufijve (dy herë në grupet e Europa League). Por, meqë nuk luan letra e bardhë dhe emrat, por është fusha dhe këmbët ato që flasin, Kamza sot është përralla më e bukur e kampionatit.
Pas Skënderbeut dhe Kukësit (një barazim dhe një humbje minimale 1-0 në Kukës) vjen skuadra e Kamzës, që ka vetëm një humbje në gjashtë javë dhe që ka pësuar po aq gola sa edhe Skënderbeu dhe Kukësi, duke shënuar vetëm dy më pak se Flamurtari dhe një më shumë se sa Partizani. Dhe, në letër, skuadra e drejtuar nga Ndreu duhet të ishte shumë më poshtë. Por, letra nuk flet, flasin faktet. Ato po i japin të drejtë. Edhe fati është një faktor, por ai kthehet i tillë nëse skuadra përgjigjet në fushë dhe shfaq grintë dhe dëshirë për të arritur objektivin, që është mbijetesa. Dhe, kësaj i shtohet edhe mungesa e një sulmuesi “big” si Plaku, për një ekip që ngjitej nga Kategoria e Parë.
Në atë Kategori ka përfunduar Tirana, pasi në ndeshjen e disa muajve më parë, në “Loro Boriçi” të Shkodrës, e dërgoi Vllaznia e Cungut, sot një ekip pa identitet. Tifozët kanë të drejtë që e kanë braktisur, pasi shohin fotokopjen e një sezoni, që nisi mirë dhe menjëherë sharra ka kapur në gozhdë. Trajneri Cungu vazhdon të fajësojë lojtarët, një refren prej vitesh, ndërsa lojtarët fajësojnë veten dhe, në fund, asnjë nuk jep më të mirën.
Një organikë që nuk është e keqe, por që sot të ngjan në një linjë me Lushnjen, që të paktën tifozët i ka ma vete, sepse e kuptojnë se situata është ajo që është (ekonomike). Por, në Shkodër, paratë i kanë por u mungon pasioni dhe dëshira për fanellën e lavdishme. Dhe, nëse dielli duket që në mëngjes, atëherë këtë sezon, me këto ritme, “perëndimi” do të jetë i pashmangshëm, duke bërë, si për ironi të fatit, stafetën me Tiranën, që me ritmet që po tregon, ngjitjen në Superligë do ta sigurojë ndoshta që në muajin janar-shkurt.