Gjashtë njerëz kanë humbur jetën, dëmet që janë të pallogaritshme dhe shumë njerëz që kanë mbetur pa shtëpi. Rreshjet tropikale në Majorka, që kanë goditur ishullin në orët e fundit, kanë shkaktuar përmbytje dhe pasojat janë mjaft të rënda.
Sipas gazetës “El Pais” disa persona rezultojnë të zhdukur. Kryebashkiaku i Sant Lorenc, komuna më e goditur nga fatkeqësia natyrore, e cila ndodhet 60 kilometër larg Palmës, konfirmoi se dy prej viktimave janë turistë britanikë.
Tragjedia i preku të gjithë. Madje edhe personalitetin më të famshëm të Majorkës, kampionin e tenisit Rafael Nadal, i cili ka lindur dhe vazhdon të jetojë në Manakor. Pas tragjedisë, numri një në botë, nisi menjëherë nga puna, për të dhënë edhe ai ndihmën në mënyrën e tij.
Día triste en Mallorca. Mi más sincera condolencia a los familiares de los fallecidos y heridos por las graves inundaciones en San Llorenç. Tal y como hicimos ayer volvemos a ofrecer hoy las instalaciones de @rnadalacademy para todos los afectados que necesiten alojamiento
— Rafa Nadal (@RafaelNadal) October 10, 2018
Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, Nadal i ofroi një vend për të qëndruar të gjithë njerëzve që kanë mbetur të pastrehë, duke vendosur në dispozicion Akademinë e tij të tenisit. “Është një ditë e trishtë për Majorkën. Ngushëllimet për familjet e viktimave. Duke vlerësuar situatën, vendosëm të hapnim dyert e ‘Rafa Nadal Academy’ për të gjithë personat që kanë mbetur të pastrehë, apo kanë nevojë për një vend ku të qëndrojnë”.