Shqipëria U-17 vijon përgatitjet për sfidën e dytë ndaj Kroacisë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2023 për këtë grup-moshë, që luhet ditën e diel në ora 13:00. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku e kanë nisur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë aventurë, duke fituar në debutim 3-1 ndaj Suedisë. Pas ndeshjes së parë ekipi ka zhvilluar më shumë stërvitje në drejtimin taktik pa ngarkesa fizike për të rikuperuar edhe lodhjen e sfidës hapëse.
Grupi është stërvitur i plotë dhe nuk ka asnjë dëmtim fizike me të gjithë lojtarët që do të jenë të gatshëm për duelin ndaj Kroacisë. Sakaq, dot do të zhvillohet dhe seanca e fundit stërvitore para ndeshjes ku stafi do të provojë vendosje të ndryshme taktike para ndeshjes.
Bëhet fjalë për ndeshjen më të rëndësishme, pasi një fitore do t’i shtonte shumë shanset e Kombëtares U-17 për t’u kualifikuar në fazën Elite të Europianit të kësaj moshe, ku marrin pjesë skuadrat më të forta të kontinentit. Në rast kualifikimi kjo do të ishte një arritje e madhe për ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë.
Për këtë arsye përqendrimi i stafit teknik dhe i lojtarëve është maksimal për të përgatitur sa më mirë këtë ndeshje dhe për të marrë 3 pikët e radhës. Aktualisht, Shqipëria U-17 renditet e para në grupin 7 me 3 pikë së bashku me Uellsin, që fitoi gjithashtu ndeshjen e parë me Kroacinë 2-0. Po sot, Uellsi do të përballet me Suedinë me ndeshjet e grupit që luhen të gjitha në Kroaci. Sfida e fundit në grup e Shqipërisë U-17 do të jetë ajo ndaj Uellsit, që do të luhet më 26 tetor, po në ora 13:00.