Vllaznia nuk dihet se kur do të fillojë nga puna, por Apolonia e ka bërë prej kohësh. Ekipi fierak ka zyrtarizuar strukturat e reja të klubit, por dhe ekipi i ri është drejt formimit. Pretendimet e skuadrës fierake këtë sezon janë të larta, pasi synon vendet e para, pse jo dhe kalimin në Superligë.
Administratori i klubit, Olsi Bregu së bashku me trajnerin Marjol Miho dhe menaxherin e klubit, Erjon Hamitaj, po mundohen të forcojnë ekipin aty ku duhet. Në stërvitjen e Apolonisë ka rënë në sy dhe i riu, Kabir Tahiraga. 19-vjeçari vjen nga Shkodra dhe është produkt i kësaj Akademie.
Paraqitjet e tij të mira si qendërmbrojtës, por dhe si mbrojtës i majtë, kanë bërë që i riu të jetë pranë firmës me Apoloninë. Fierakët njihen për punën e tyre të mirë me të rinjtë, prandaj Tahiraga mund të jetë i radhës në emrat e rëndësishëm që kanë dalë nga ky klub. Vllaznia fle gjumë, ndërsa ekipet e tjera peshkojnë të rinjtë e tyre!
Tahiraga ishte pjesë e ekipit të Vllaznisë që u shpall kampion kombëtar për moshën 19-vjeçare, ndërsa sezonin e fundit e mbylli te skuadra e AF Dinamos.