Mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër ishte parashikuar për t’u zhvilluar të shtunën, por për shkak të ndërhyrjes së pastër politike prej përfshirjes së kryetarëve të bashkive të qarkut dhe përfaqësuesve të qeverisë dhe presioneve ndaj anëtarëve, nuk u plotësua kuorumi prej më shumë se 50% më shumë e anëtarëve me të drejtë vote.
Kësisoj, sipas njoftimit të bërë më datë 29.01.2022, në bazë të Nenit 30 të statutit u zhvillua një Asamble e Përgjithshme e dytë e SHRFGJ me të njëjtin rend dite brenda 24 orëve, e cila u caktua të zhvillohet në Hotel One, Gjirokastër duke qenë se selia e shoqatës ishte e paaksesueshme prej anëtarëve.
Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të anëtarëve të Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër u zhvilluan normalisht, por pa trajtuar çështjen e rëndësishme të statutit të ri për shkak të mungesave të delegatëve. Kjo mbledhje e dytë, nuk kërkonte një shumicë të cilësuar sipas statutit.
Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj dhe Edvin Libohova. Në fjalën përshëndetëse të mbajtur në nisje të mbledhjes, Arben Dervishaj theksoi se futbolli do të ketë një vëmendje të shtuar, duke filluar që nga baza materiale falas për fëmijët si edhe përmirësimi i infrastrukturës dhe ndërtimi i fushave të reja. Sipas tij futbolli në këtë qark do të ketë një trajtim ndryshe nga FSHF, pasi problematikat që ka futbolli në këtë zonë janë të ndryshme nga qarqet e tjera.
“Futbolli amator në këtë qark do të ketë një vëmendje të shtuar nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së për plotësimin e nevojave të ngutshme si në bazë materiale, ashtu edhe në terrene sportive. Së fundmi Komiteti Ekzekutiv miratoi projektin për ndërtimin e një fushe të re stërvitore me bar artificial në qytetin e Gjirokastrës në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës. KE ka miratuar projektin Uniforma ime’, e cila është një projekt që do t’u afrojë të gjithë fëmijëve pa dallim uniformat ashtu siç federata ju afron topat e futbollit. Njëkohësisht Federata do të ofrojë edhe ndihmë për shtimin e infrastrukturës duke bërë fusha futbolli për fëmijët. Nga ana tjetër ju sot do të miratoni buxhetin për SHRF Gjirokastër që do të bëjë të mundur që kjo shoqatë të funksionojë si një mini-federatë”, – tha anëtari i KE-së, Dervishaj.
Mbledhja trajtoi çështje të problematikave që hasin anëtarët lidhur me infrastrukturën dhe bazën materiale. Një vëmendje e veçantë ju kushtua propozimeve për ndryshimin e rregullores së aktivitetit të Kategorisë së Dytë për çështjen e lojtarëve jashtë qarkut, i cili do t’i përcillet KE-së pas konstituimit prej asamblesë zgjedhore të datës 2 mars.
Drejtori i Departamentit Ligjor dhe Licencimit në FSHF, Aldi Topçiu shpjegoi të gjithë procedurën e ndjekur sipas statutit të SHRF Gjirokastër.
“Ditën e djeshme siç e dini ishte parashikuar për t’u mbajtur një mbledhje e SHRF Gjirokastër. Kjo mbledhje për shkak të mosplotësimit të kuorumit ditën e djeshme u shty sipas statutit për 24 orë. Në këtë mbledhje kishte kuorumin e parashikuar nga statuti për të marrë vendime të caktuara, jo të gjitha vendimet që ishin parashikuar për t’u marrë. Për shembull nuk u mor dot vendimi për ndryshimin e statutit, nuk u morën vendime për ndryshime apo përjashtime anëtarësh, pasi nuk ishte kuorumi që parashikon statuti, por u morën vendime të tjera, që statuti i lejon të merren, siç janë miratimi i buxhetit, vendime për miratimin e komisionit të verifikimit dhe miratimi i propozimeve për anëtarë të KE-së, presidentit dhe delegatët që do ta përfaqësojnë shoqatën në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së”, – tha Topçiu.
Së fundmi, SHRFGJ zgjodhi tre delegatë që do të përfaqësojnë shoqatën në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF, të cilët janë Sadik Sadikaj, Altin Çomo dhe Xhevit Kaçorri. Gjithashtu, SHRGJ propozoi z. Gjergji Petro si kandidat për anëtar të Komitetit Ekzekutiv dhe z. Armand Duka si kandidat për President të FSHF.
Në fund të mbledhjes, kryetari i SHRF Gjirokastër, Sadik Sadikaj i ftoi të gjithë anëtarët që të bashkëpunojnë për të mirën e futbollit në këtë qark.
“Siç e kishim lajmëruar Asambleja është mbajtur në një ambient tjetër. Sipas statutit ne propozuam dy delegatët për Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së. Propozuam kandidatin për president të FSHF-së, si edhe miratuam propozimin tonë për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF. Do ishte mirë të ishin të gjithë anëtarët e shoqatës tonë, por nuk mundën të vinin. Dera jonë për të bashkëpunuar mbetet e hapur për të gjithë në takimet e tjera, ne i mirëpresim në shoqatë dhe të jemi të gjithë bashkë për të mirën e futbollit dhe për të mirën e fëmijëve tanë”, tha Sadikaj.