Përfundoi kontratën me Skënderbeun, mbërrin oferta e parë në tryezën e Dejvi Bregut

Dejvi Bregu përfundoi kontratën e tij që e mbante të lidhur me Skënderbeun dhe tani është në pritje për të vendosur për të ardhmen e tij. Një sezon fantastik si ai i zhvilluar këtë vit me bardhekuqtë nuk mund të kalojë pa ngjallur interesin e klubeve të tjera, aq më tepër kur mund ta transferojnë me parametra zero.

Natyrisht që dëshira dhe ambicia e vlonjatit është Europa, por në adresë të tij nuk mungojnë as interesimet brenda klubeve shiptare. Sipas “Fansat e futbollit shqiptar“, garës në derbin e Tiranës mes bardhebluve dhe Partizanit i shtohet edhe kampionia e Kosovës, Drita.

Klubi nga Gjilani synon të bëjë një paraqitje dinjitoze në Kupat e Europës dhe për këtë arsye një përforcim si Dejvi Bregu do të hynte së tepërmi në punë. Oferta duket joshëse dhe te Drita nuk janë kursyer për të bërë të mundur këtë transferim, megjithatë një “po“ nga sulmuesi nuk ka mbërritur ende, teksa vështrimi i tij është hedhur drejt kampionateve të Europës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *