Përforcimi i Vllaznisë mbërrin në Shkodër dy muaj pas firmës

Duket e çuditshme, por është një nga ato histori që ndodhin rëndom në futbollin shqiptarë. Lojtarë që afrohen në skuadra dhe klubet që i prezantojnë lojtarët, edhe pse merkato është mbyllur dhe afatet janë tejkaluar. Megjithatë, Vllaznia vendosi një rekord të ri, sepse këtë të martë (16 tetor 2018) në Shkodër mbërriti Eziamaka Kolins Ikena, i cili kishte firmosur me klubin në fund të muajit gusht.

Pas afro dy muajsh nga marrëveshja, sulmuesi nigerian mbërriti më në fund në Shkodër, duke përforcuar repartin ofensiv të kuqebluve. Zbarkimi i 21-vjeçarit në qytetin veri-lindor ka qenë një aventurë më vete, me vonesat e gjata të krijuara nga procedura e pajisjes me vizë. Sipas klubit, futbollistit i është dashur që të udhëtojë nga Nigeria në Kairo të Egjiptit për të aplikuar dhe më pas për tu pajisur me vizë.

Më tepër se gjashtë javë pritje, por më në fund sulmuesi mbërriti në Shqipëri, ndërsa megjithë udhëtimit të gjatë dhe zbarkimit në aeroportin e Rinasit gjatë paradites së kësaj të marte, Eziamaka Kolins Ikena kërkoi të paraqitej menjëherë në stërvitje me ekipin. Dëshira e tij u realizua, me trajnerin Hasan Lika dhe stafin teknik që e lejuan të niste punën me pjesën tjetër të grupit, duke realizuar në këtë mënyrë stërvitjen e parë me Vllazninë.

Nigeriani duket se kërkon të fitojë kohën e humbur, pas vonesës së madhe në paraqitjen pranë ekipit të ri, për një afrim që ndodh në një moment të sezonit kur skuadrat janë më pranë merkatos së janarit dhe këto janë të para kanë shërbyer për të menduar përmirësimet që duhen realizuar. Tashmë Eziamaka Ikena duhet të integrohet me grupin dhe të luftojë për të fituar vendin e tij në skuadër, me konkurrencën që është mjaft e fort, pasi në sulmin e Vllaznisë po shkëlqen braziliani Zhunjor, ndërsa një alternativë është edhe i riu Pusi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *