Kontrata e Silvinjos me Federatën Shqiptare të Futbollit ka përfunduar dhe e rinovimi ende nuk është arritur. Duka deklaroi ditën e djeshme në emisionin “Kampionët” në “TV Klan” se FSHF-ja i kishte ofruar zgjatjen e kontratës deri në përfundim të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026 që në muajin janar, por braziliani e kishte lënë pezull këtë propozim.
Ndërkohë, vetë trajneri i Kombëtares ka reaguar për “Top Channel”-in në lidhje me këtë çështje. Silvinjo ka thënë se tashmë do të shijojë pushimet e tij dhe javën e ardhshme do të kontaktojë me menaxherin e tij për të vendosur të ardhmen.
“Sapo kam arritur në Porto, jam me pushime me familjen. Nuk di asgjë unë, nuk kam folur akoma me stafin (menaxherin). Do i kontaktoj javën e ardhshme”, është shprehur Silvinjo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/