Perfeksioni ka fytyrën e Mançester Sitit, fitore dhe rekordi i radhës

Nëse ndokush kishte ende ndonjë dyshim, Mançester Siti ia largoi sërish sot në mbrëmje, sepse me një paraqitje thuajse të përkryer hoqi qafe Suonsin duke fituar 4-0 në Uells, ndërsa rruga drejt titullit është e shtruar. Ishte fitorja e 15-të rresht në kampionat, nuk kishte ndodhur kurrë në Premier Ligë një gjë e tillë, ndërsa Arsenali në vitin 2002 ishte ndalur te 14 fitore rresht, por jo brenda një sezoni.

Si zakonisht, David Silva ishte spektakolar, sepse shënoi  në minutat 27 e 52, duke u përfshirë në 13 gola këtë sezon (5 gola e 8 asiste), duke kaluar që tani sezonin e shkuar, kur u përfshi në 11 gola. Edhe De Brujne e Aguero treguan se janë lojtarë të klasit botëror, duke shënuar nga një gol dhe duke luajtur shumë mirë, ndërsa Guardiola nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të buzëqeshë.

Reziston Mançester Junajtid, që mundi 1-0 me gol të Lukakut Bornemuthin, por sërish ishte një ndeshje pa shkëlqim dhe miqtë mund të barazonin.

Zhgënjejnë Liverpuli e Arsenali: The Reds ndalen te barazimi 0-0 në shtëpi nga Uest Bromi dhe sërish makineria e Jyrgen Klopit rezulton difektoze, sepse alternon ndeshje me 6-7 gola, me ndeshje si kjo e sotmja. Ndërkaq, Arsenali u ndal te barazimi pa gola nga Uest Hemi, që është kthyer fuqishëm dhe fitorja ndaj Çelsit javën e shkuar nuk ishte rastësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *