Real Madridi tashmë është dorëzuar: nuk do t’i rinovojë Ronaldos kontratën me kushtet që ai kërkon, pra 30 mln euro! Kështu, do të vijë divorci. Por, sipas medieve spanjolle, ka një kleçkë e cila ka frenuar, për momentin Florentino Perezin, presidentin e galaktikëve…
Perez ka frikë se largimi i Ronaldos, që praktikisht ka mbetur i zhgënjyer nga sjellja e presidentit dhe sidomos klubit kundrejt tij, që prej çështjes së evazionit fiskal, do të ishte një thikë me dy presa për të. Në fakt, tifozët mund t’i viheshin kundër, pasi do të ishte ai që shiti CR7…
Kështu, për të mos i bërë dëm imazhit të tij dhe Realit, ka kërkuar që të jetë portugezi ai që, me një deklaratë zyrtare, të kërkojë largimin nga galaktikët, pra shitjen, duke mbajtur faturën e këtij divorci pas 9 vitesh.
Ndërkohë, një tjetër prapaskenë ka dalë orët e fundit: askush në Madrid nuk e kishte menduar Juventusin si alternativë dhe, në klauzolën e vendosur gjatë janarit, u përjashtuan klubet e mëdha si PSG, Mançester Junajtidi, Mançester Siti, Barcelona dhe Bajern Mynih, teksa u hipotizua se, nëse Ronaldo largohet, do ta bënte vetëm për në Kinë, ku do ta mbulonin me ar.
Por, “Zonja” bëri dy llogari, sidomos marketingu dhe burse, e cila ka pësuar rritje të jashtëzakonshme këto ditë me mbi 70%, ndaj dhe nisi sulmin final dhe negociatat zyrtare, duke rënë dakord me agjentin Mendesh.