Me zhvillimin e futbollit janë shtuar edhe rregullat e kësaj loje. Kombëtaret tashmë nuk përbëhen vetëm nga lojtarë në bazë etnike, por edhe nga të tjerë që kanë arritur të marrin një nënshtetësi të dytë. Kjo i shtyn futbollistët të gjykojnë në bazë të karrierës individuale kur vjen çasti për të zgjedhur Kombëtaren e tyre, duke u joshur nga ato që paraqesin një emër të të madhë në arenën ndërkombëtare.
Edhe Shqipëria e ka pësuar shpesh nga ky rregull, teksa talente të shumta prihen nga dëshira për të marrë pjesë në kompeticione madhore dhe lënë në plan të dytë kombësinë e tyre. Por një mesazh i pastër dashurie për fanellën e vendit e tij vjen nga Gareth Bale, që është për tu marrë shembull edhe nga lojtarët shqiptarë.
“Që nga dita e parë që e takova atë dhe babanë e tij, ai na tregoi se sa i veçantë ishte Uellsi për të. Kur biseduam me të, ai pati një shans të luante për Anglinë. Dhe ai tha: “Mos e thuaj më këtë nëse dëshiron të bëhesh agjenti im”! Ai është një tifoz i Uellsit. Nëse do të arrijë në Kupën e Botës, mendoj se do të jetë kurorëzimi i tij”, ka thënë menaxheri Barnett për Gareth Bale-n./Halit Delibashi-Sport Ekspres/