Jani Kaçi ka dhënë një prononcim për mikrofonin e “Ora Sport” në “Ora TV”, ku jep mendimin e tij për gardianët shqiptarë. Si një ish-portier e njeh mjaft mirë këtë rol, por përshtypjet nga gardianët e kampionatit tonë nuk janë aspak pozitive për të. Kaçi tregohet i ashpër në vlerësimin e tij për portierët e rinj, teksa i kritikon për paraqitjet e bëra në fushë. Ndërkohë zbulon edhe një prapaskenë në lidhje me personin që mban “çelësat” e portës së Kombëtares kuqezi, Berishën. Jani Kaçi tregon se është pikërisht ai që e ka grumbulluar për herë të parë në ekipin kombëtar, madje duke marrë edhe mosbesimin e shumë specialistëve.
“Ne atëherë kishim cilësi. Edhe unë kam pasur cilësi të jashtëzakonshme në lojën me këmbë. Duhet të jesh shumë i mençur që të jesh portier. Portieri është shtylla e skuadrës. Duhet të ketë këto detyra: të jetë një organizator i mirë, të jetë një dirigjent i mirë dhe të jetë një mbrojtës i mirë. Portierët e Kombëtares? Kam shumë respekt për Berishën. As ju nuk e dini, vetëm kryetari i FSHF-së e di. Atë e kam marrë unë nga Prishtina. E kam grumbulluar për herë të parë në ekipin kombëtar Shpresa. Atje disa specialistë thanë: “Ky nuk bëhet“. Pas disa kohëve Armand Duka më thotë: “Jani Kaçi kishe të drejtë. Ai ishte portier“.
Loja e portierit në këto momente që flasim ne ka evoluar, luhet me zonën. Rolin e qendërmbrojtësit të lirë duhet ta bëjë portieri. Unë nuk shikoj ndonjë portier shqiptarë që ta bëjë rolin e qendërmbrojtësit të lirë. Portieri duhet të jetë gjigant, jo që mos të kenë frikë lojtarët ti afrohen atij. Ndërsa portierët e tjerë më duken si portierë që “hajde të vëmë një portier në portë“. I ndjek fare afër edhe në përsëritje dhe hidhen me sy mbyllur. Ai nuk është portier“, ka deklaruar Jani Kaçi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/