Pep Guardiola, njeriu që blen suksesin e tij

Tekniku spanjoll e Mançester Sitit është padiskutim një nga trajnerët më të suksesshëm në botë, por si e arrin ai këtë? Me para pafund të shpenzuara

Trajneri aktual i Mançester Sitit, Pep Guardiola, cilësohet si një nga teknikët më të suksesshëm i të gjitha kohërave. Një trajner që ka fituar gjithçka dhe kudo ku ka drejtuar. Karriera e tij e pasur nisi tek Barcelona në vitin 2008, pikërisht atë sezon që i prezantoi botës stilin e tij “tiki-taka”. Që në sezonin e tij të parë, Guardiola fitoi trofe të rëndësishëm në Spanjë dhe filozofia e tij e lojës e transferua edhe tek kombëtarja spanjolle e futbollit, e cila fitoi evropianin e atij viti. Kanë kaluar gati dhjetë vite që kur Guardiola prezantoi filozofinë e tij, por ai vazhdon të ketë sukses. Pas katër viteve fantastike tek Barcelona, tekniku mori drejtimin e Bajernit të Mynihut. Edhe tek Bavarezët, Guardiola i qëndroi besnik filozofisë së tij dhe arriti ta rikthejë Bajernin në majën e futbollit gjerman. Ndërsa tek Siti, Pep nuk pati një impakt të menjëhershëm në sezonin e parë, por këtë sezon ka ndërtuar një ekip të pamposhtur. Si e arriti Guardiola këtë sukses? Sekreti qëndron te shifrat e çmendura që tekniku spanjoll preferon të shpenzojë në merkato, duke sjellë në ekipet e tij lojtarët shumë cilësorë.

Barcelona

Guardiola mori drejtimin e Barcelonës në momentin më të mirë të saj, pasi në klub ishin emra si Ksavi, Iniesta dhe Mesi. Gjithsesi, tekniku spanjoll shpenzoi shifra të çmendura në katër vitet e tij si trajner tek blaugranasit, duke sjellë në “Kamp Nou” emra si Dani Alvesh, Ibrahimoviç, Fabregas, Pike, Sançez e të tjerë. Në këto katër sezone, Guardiola shpenzoi plot 307 milionë paundë dhe blerja më e shtrenjtë ishte padiskutim ajo e suedezit, Ibrahimoviç.

Bajern Mynih

Pasi Pep u largua nga stoli i katalanasve, ai preferoi të bëjë një vit pushim. Gjithsesi, në sezonin 2013-2014, ai mori drejtimin e gjigantëve gjerman, Bajern Mynih. Tekniku spanjoll mori shumë kritika në momentin që nënshkroi për Bajernin, pasi sipas gazetarëve të shumtë sportiv, filozofia e tij nuk do të funksionojë në kampionatin gjerman. Pep vazhdoi punën e tij, duke ruajtur të njëjtin stil loje, por për ta bërë këtë i duheshin lojtarët e duhur. Në Mynih erdhën emra si Mario Gëtce, Ksabi Alonso, Vidal, Tiago Alkantara e shumë të tjerë. Gjithsesi, Guardiola tek Bajerni shpenzoi më pak se tek Barcelona, duke shpenzuar 184 milionë paundë.

Mançester Siti

Rekordin e shumës më të lartë të shpenzuar, Guardiola e ka tek Mançester Siti. Tekniku spanjoll mori drejtimin e “Citizens” sezonin e shkuar, por nuk pati sukses vitin e parë si trajner në Angli. Kjo solli në nevojën e trajnerit për të përforcuar ekipin. Gjatë dy sezoneve të teknikut spanjoll në kreun e pankinës të “Qytetarëve”, ai ka shpenzuar me shumë se 400 milionë paundë, shifër kjo shumë më e lartë se tek Barcelona apo Bajerni. Guardiola shpenzoi më shumë për të sjellë në Mançester tre mbrojtës. Kajl Uollkër, Mendi dhe Danilo i kushtuan Sitit gati 150 milionë euro, por Guardiola nuk pritet të ndalojë. Edhe në janar, presidenca e klubit i ka premtuar një buxhet të majmë për të përforcuar ekipin akoma dhe më shumë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *