Alvaro Morata përjetoi pak nga të gjitha në debutimin e tij me Milanin. Sulmuesi spanjoll hyri në fushë dhe shënoi gol, por arbitri e anulloi për pozicon jashtë loje. Më pas kampioni i Europës arriti të fitonte një 11 metërsh, e cila u anullua nga teknologjia VAR. Megjithatë, pak minuta pra fundit të kohës së rregullt, Morata ia doli ta dërgonte topin në rrjetë. Këtë herë nuk kishte vërshëllimë të arbitrit që t’i ndërpriste festën. Në intervistën e dhënë për “DAZN”-in pas ndeshjes, spanjolli nuk i ka kursyer batutat në lidhje me situatën që i ndodhi gjatë lojës.
“Penallti, pozicion jashtë loje, gol, karton i verdhë… më ndodhën të gjitha. Ndonjëherë nuk e di përse më ndodhin të gjitha mua. Nuk është diçka fizike, duhet të bëjmë një hap përpara nga ana mendore. Të kuptojmë që për të fituar tituj duhet të punojmë, të shkaktojmë më shumë goditje dënimi… Duhet të shndërohemi ne një ekip më të fortë”, ka deklaruar Alvaro Morata./Halit Delibashi-Sport Ekspres/