Mërgim Mavraj nuk ka qenë aspak i qetë këto muaj. Fillimisht Hamburgu e dënoi dhe e çoi tek ekipi i dytë. Arsyetimi ishte për shkaqe sportive. U duk e çuditshme, duke pasur parasysh situatën e vështirë të gjermanëve.
Largimi nga Hamburgu ishte çështje kohe dhe erdhi, por ajo që ka më shumë rëndësi ka të bëjë me faktin se mbrojtësi qendror është ende pa ekip dhe normalisht trajneri i kombëtares, Kristian Panuçi, shqetësohet.
Mavraj gjatë gjithë verës nuk është stërvitur me asnjë ekip dhe mbetet për t’u parë nëse do të thirret për ndeshjen e 7 shtatorit me Izraelin. Ka mbetur pak kohë nga ndeshja dhe mbrojtësi është pa kondicion fizik. Kjo e dëmton atë dhe Shqipërinë në këto momente, pasi Mavraj shikohet si një lider i prapavijës.
Gjatë kësaj vere ofertat nuk i kanë munguar, me Breshian dhe Deportivo La Korenë që kanë qenë më konkretë me ofertën e tyre. Gjithsesi Mavraj ka qenë i lëkundur dhe nuk ka vendosur ende për të ardhmen.