Në Vlorë e kanë ndarë mendjen t’u besojnë dy të rinjve për mbrojtjen e kuadratit. Merkato do bëhet për repartet e tjera
Elton Nika
Adis Nurkoviç ishte portieri titullar i sezonit të kaluar tek Flamurtari, por do ta vijojë karrierën në Bosnje Hercegovinë, pasi ka nënshkruar me FK Sloga, ekip që është ngjitur në elitën e futbollit boshnjak. Gjatë sezonit të shkuar, pas dëmtimit të Nurkoviç, Flamurtari aktivizoi në pak takime dhe dy portierët Pano Qirko dhe Edmir Sali. Të dy janë portierë të rinj dhe mjaft të talentuar, ndërkohë që duket se pikërisht ata janë “gardianët” të cilëve vlonjatët do t’u besojnë. Pavarësisht moshës së re, ata mbeten pjesë e rëndësishme e skuadrës vlonjate. Në klubin kuqezi besojnë plotësisht te cilësitë e tyre. Qirko ka luajtur me të rinjtë dhe ka treguar vlera. Gjithashtu është aktivizuar edhe në dy takime me skuadrën e parë. Sali ka luajtur për një sezon edhe me Orikumin për të fituar eksperiencën e duhur. Tashmë këta dy portierë do të jenë ata të cilët do të mbrojnë portën e Flamurtarit për sezonin e ardhshëm. Kjo është ajo çka konfirmohet deri më tani nga kampi kuqezi. Pikërisht Sali dhe Qirko do të luftojnë për një vend titullari.
LËVIZJET NË MERKATO
Zyrtarizimi i trajnerit kryeqytetas, Ilir Dajës, si trajner i Flamurtarit, pritet të bëhet në ditët e para të muajit korrik. Bashkë me trajnerin do të ketë edhe prezantime lojtarësh, të cilët do të jenë pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm futbollistik. Deri më tani nga klubi nuk ka patur asnjë lëvizje dhe duket se gjithçka po lëviz në qetësi. Pasi të jenë siguruar firmat, vetëm atëherë do të ketë lëvizje dhe prezantime. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me trajnerin Ilir Daja. Akordi dihet se është arritur prej kohësh, por mungon vetëm zyrtarizimi. Trajneri kërkon pikërisht një skuadër thuajse të kompletuar dhe prandaj nuk ka ndodhur prezantimi zyrtar. Daja dhe drejtuesit e klubit janë duke u marrë me merkaton gjatë kësaj periudhe. Ish-trajneri i Skënderbeut ka piketuar disa nga afrimet dhe po punohet për të arritur marrëveshjet. Gjithçka do të sqarohet në fillim të muajit korrik, ndërsa siç dihet një tjetër arsye që Daja nuk është prezantuar ka të bëjë me kontratën e tij që ka me Skënderbeun deri më 30 qershor. Gjithashtu edhe fakti se trajneri kërkon një skuadër të kompletuar para se të nisë përgatitjet ka sjellë këtë situatë. Ndaj korriku do të shënojë zyrtarizimet e para dhe padyshim prezantimin zyrtar të trajnerit Ilir Daja.